Ballina Aktualitet Zgjedhjet vendore, Arta Marku letër prokurorëve

Zgjedhjet vendore, Arta Marku letër prokurorëve

Kryeprokuorja, Arta Marku u ka dërguar një udhëzim prokurorëve lidhur me periudhën para dhe pas zgjedhjeve vendore.

Udhëzuesi ka për qëllim unifikimin e masave në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm, si për verifikimin e integritetit të kandidatëve të zgjedhur ashtu edhe për rritjen e efektivitetit të hetimeve dhe ushtrimit të ndjekjes penale ndaj autorëve që prekin zgjedhjet e 30 qershorit  si edhe për parandalimin e veprimtarisë kriminale në këtë fushë.

Marku kërkoi marrjen e masave të unifikuara për:

1. Organizimin dhe funksionin e gatishmërisë së përforcuar në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm në periudhën para dhe pas zgjedhjeve.

2. Trajtimin e kërkesave të KQZ-së lidhur me verifikimin e integritetit të personave që janë kandidatë për tu zgjedhur.

3. Mënyrën e sigurimit të informacionit në kohë për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve dhe për veprat e tjera të rënda kriminale lidhur me to.

4. Hetimin dhe ndjekjen penale me përparësi dhe efikasitet të veprave penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve si edhe të çdo vepre penale tjetër që dëmton procesin zgjedhor.

5. Informimin në prokurori dhe informimin e publikut e mediave për veprimtarinë e prokurorisë lidhur me kallëzimet/referimet në prokurori, masat e sigurimit personal, regjistrimet e procedimeve penale në prokurori dhe vendimet ose kërkesa e prokurorëve në gjykatë ndaj autorëve për kryerjen e veprave penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.