“Zero tatime për biznesin e vogël”, Ahmetaj sqaron se cili është plani i qeverisë

57

Ministri i Rindërtimit dhe njëheraz koordinatori për hartimin e Planit Kombëtar Shqipëria 2030, Arben Ahmetaj, ka informuar mbi heqjen e tatim fitimit biznesit të vogël. Ky lajm u bë i ditur si fillim nga kryeministri Edi Rama gjatë një lidhje live në emisionin “Opinion”. Rama deklaroi fillimisht se do të hiqet tatim fitimi për bizneset e vogla në mënyrë që bizneset e tilla të ushqejnë familjet shqiptare të mos kenë më intimidime nga autoritetet tatimore, të shmangen rryshfetet si dhe të kenë më tepër fitim.

Nga ana tjetër Ahmetaj ka deklaruar ditën e sotme se taksat për të gjitha bizneset e vogla me një xhiro vjetore prej 14 milionë lekësh do të hiqen deri në vitin 2029.

“Ky plan do të jetë i detajuar, me reforma konkrete dhe me projekte konkrete dhe me kalendarizim, muaj pas muaj e vit pas viti. Brenda planit kombëtar 2030, siç e ka konfirmuar dhe kryeministri Edi Rama, do të ketë një masë të rëndësishme për shumicën e shqiptarëve që punojnë në sektorin privat. Për shqiptarët që punojnë në biznesin e vogël. Kryeministri dje ka komunikuar iniciativën për çlirimin nga taskat për të gjithë biznesin e vogël deri në xhiron 14 milionë lekë. Zero tatime”, u shpreh Ahmetaj.

Mbetet për t’u parë ky plan në zbatim.