Ballina Aktualitet Zbuloni se për çfarë kursejnë shqiptarët, gjysma për shkollim

Zbuloni se për çfarë kursejnë shqiptarët, gjysma për shkollim

Është shpresëdhënës fakti se shqiptarët janë arsimdashës, në atë masë se gjysma e atyre që kursejnë, e bëjnë për shkollën.

Banka e Shqipërisë, në një vrojtim të posaçëm për kulturën financiare të shqiptarëve, cilësoi se vendosja e objektivave afatgjatë financiarë, si dhe vijimësia dhe qëndrueshmëria e përpjekjeve aktive për t’i përmbushur ato, janë një tjetër përbërës i rëndësishëm i sjelljes financiare.

Për të kuptuar këtë çështje në mënyrë sa më shteruese janë përdorur pyetjet: Cili është aktualisht objektivi juaj më i rëndësishëm financiar?” dhe “Çfarë po bëni për ta përmbushur këtë objektiv?”

Të dhënat tregojnë se vetëm 44% e të intervistuarve kanë objektiva financiarë afatgjatë. Nga këta, pjesa që kanë objektiv kursimin, 49% e bëjnë për shkollën. Rreth 29.8% kanë objektiva afatgjata kursimi për shkollimin e fëmijëve dhe 18.6% për vetëshkollim.

Më tej 11,9% kursejnë për të përmirësuar standardet e jetesës, 9,9% për të blerë një makinë dhe e 6.6% për të ndihmuar financiarisht fëmijët e tyre.

Rregullimi i shtëpisë stimulon 5.7% të kursimtarëve dhe po kaq blerja e një shtëpie të re.
Gjithashtu, në përmasa më të vogla, shqiptarët priren për të kursyer për dasmën e tyre apo të fëmijëve, për të zgjeruar biznesin, për shlyerjen e kredisë, apo për të udhëtuar.

Mënyrat se si kursejmë
Të pyetur se çfarë veprimesh kanë ndërmarrë për përmbushjen e objektivave të tyre financiarë 22% e tyre janë përgjigjur se kanë ulur shpenzimet, 13% kanë kursyer ose investuar dhe 7% kanë përgatitur një plan veprimi.p

Një e dhënë e rëndësishme është fakti që vetëm 4% e të intervistuarve që kanë objektiva financiarë, kanë gjetur një mënyrë për të marrë kredi, dhe 1% kanë rritur shumën e ripagimit të kartës së kreditit apo të kredisë, duke e bërë kreditimin një mjet të përdorur rrallë për përmbushjen e objektivave në fjalë.