Ballina Aktualitet Zbulohen dy spiune ruse në Kosovë

Zbulohen dy spiune ruse në Kosovë

Shërbimet e fshehta në radhët e tyre kanë shumë femra. Përveç punës për interes nacional, ato duhet të jenë të shkathëta dhe të mençura. Mirëpo, rusët e kanë edhe një kriter: agjentet e tyre sekrete duhet të jenë edhe të bukura.

Në Kosovë janë shënuar disa raste kur shtetaset ruse frekuentojnë me qëllime spiunazhi. Para disa ditësh në media u raportua se një zyrtare e lartë e UNMIK-ut, e quajtur Jana Minochkina u zu duke vjedhur në një dyqan në qendër të Prishtinës.

Mirëpo, të dhënat e institucioneve të sigurisë thanë se ajo ka shumë të ngjarë të jetë agjente e shërbimeve sekrete ruse. Kurse, rasti i fundit është ai i Julia Genadievna Luchevnikovas, rasti i së cilës u raportua nga vet qytetarët se ishte parë duke fotografuar objekte të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Në të dy rastet, veprimet e ruseve, si i Jana Minochkinas, ashtu edhe Julia Luchevnikovas janë me bazë dyshimi për veprimtari spiunazhi.

Burimi i RTK-së (ekspert i sigurisë) i cili deshi të mbetej anonim, thotë se vitin e fundit është intensifikuar dhe ashpërsuar veprimtaria e shërbimeve të inteligjencës së Federatës së Rusisë në Kosovë.

“Duke marrë parasysh që pas dështimit të Rusisë që ta parandalojë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, pastaj pas dështimit të pengimit të marrëveshjes ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për çështjen e emrit, kanë mbetur vetëm Kosova dhe Serbia terren i përshtatshëm për agjenturën ruse. Është e vërtetë që në Kosovë janë shënuar disa raste që janë raportuar si veprimtari e spiunazhit dhe kjo është e rrezikshme. Rasti i këtyre femrave është shqetësues. Këto dyja janë evidentuar, por duhet ta marrim parasysh se sa të tjera si këto nuk janë evidentuar”, ka thënë ky burim.

“Është e çuditshme se si një rast si ky, vjen me makinë nga Rusia pa asnjë rrobë tjetër me vete, pa bagazh – pa valixhe. Asaj i janë zënë vetëm dokumentet që gjoja punon në Postën e Rusisë, mirëpo gjatë bastisjes së veturës i janë gjetur edhe disa dokumente të tjera që gjithashtu i kanë shërbyer për të dëshmuar se gjoja punon në një gjykatë në Moskë. Kjo quhet maskim i veprimtarisë së spiunazhit apo zbulimit. Kurse, një dëshmi më shumë për këtë dyshim është edhe fakti se ajo ka fotografuar objekte të rëndësisë së veçantë”, ka thënë burimi i RTK-së.

Redaksia ka mësuar se Luchevnikova me vete kishte një numër të madh të kartelave bankare.

Rusët dhe serbët janë bashkëpunëtorët më të mirë në fushën e shërbime sekrete. Në mes të muajit të kaluar, një oficer i shërbimit ushtarak të inteligjencës, i njohur si ADIV, u akuzua se po punonte për rusët.