Ballina Aktualitet Vrau gruan në Vlorë, familjaret e braktisin

Vrau gruan në Vlorë, familjaret e braktisin

Todi Lera, i cili po merrte mjekim në spitalin e Vlorës pasi tentoi vetëvrasjen pas krimit në familje, u shoqërua nga Policia drejt Tiranës, për caktimin e masës së sigurisë. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, por mësohet se ai nuk ka shfaqur pendesë për krimin e kryer.

Burimet thanë se gjatë zhvillimit të seancës, as brenda dhe as jashtë nuk pati familjarë të autorit të dyshuar. Sipas një vendimi të vitit të kaluar të Gjykatës së Vlorës, rezulton se vrasja e Etleva Lerës ishte një krim i paralajmëruar.

Edhe dy vite më parë, Todi Lera kishte tentuar që ta vriste bashkëshorten. Todi Lera kishte krijuar prej disa vitesh dyshime se bashkëshortja e tij, Etleva Lera, e tradhtonte. Për këtë arsye, ata kishin debate të vazhdueshme në familje.

Në dijeni për debatet në familje, vajza studente kishte udhëtuar ditën e krimit nga Tirana për në qytetin bregdetar, por pa arritur dot të parandalonte vrasjen e së ëmës. Todi Lera ishte i papunë, ndërsa viktima Etleva Lera siguronte të ardhurat e familjes, duke shitur rroba të përdorura në një dyqan pranë banesës në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë.