Ballina Kronikë Vrasja për parkimin në Laç, arrestohet autori

Vrasja për parkimin në Laç, arrestohet autori

Policia e Kurbinit ka arrestuar autorin e vrasjes së ndodhur në qendër të Laçit mesnatën e të mërkurës pas një debati për një vend parkimi.

Burimet zyrtare thanë se forcat e rendit vijuan kontrollet e pandërprera për lokalizimin dhe kapjen e autorit dhe falë edhe bashkëpunimit me familjarët e autorit të dyshuar, mbrëmjen e të enjtes është bërë arrestimi i shtetasit Emanuel Koca, 32 vjeç, banues Tiranë.

Ky person sipas policisë është autor i dyshuar i vrasjes së 24 vjeçarit Viktor Shkorreti, i cili u ekzekutua pasi nuk lejoi autorin e krimit të parkonte pranë shtëpisë së tij.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 të mbrëmjes të së mërkurës në afërsi të stadiumit të qytetit, ndërsa disa orë më pas policia identifikoi të dyshuarin për vrasjen i cili rezulton i lindur në Mirditë, por banues në Tiranë.

Megjithëse u largua menjëherë nga zona ku ndodhi ngjarja, 32-vjeçari ka rënë në pranga 24 orë pas krimit.

Koca ka tentuar të parkojë makinën e tij pranë banesës së Viktor Shkorretit, pasi për shkak të fluksit të pelegrinëve në Kishën e Laçit, në qytet ka pasur fluks të jashtëzakonshëm mjetesh.

Por pasi nuk është lejuar dhe pas debateve verbale, autori ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të 24 vjeçarit duke e lënë të vdekur.

Më pas duke përfituar dhe nga errësira autori ngjarjes është larguar nga vendi i ngjarjes, duke i shpëtuar arrestimit.