Vrasja në Shkodër, vihet në pranga një person

18

Policia ka arrestuar ditën e sotme një nga autorët e vrasjes së Ridvan Ramazanit në Shkodër.

Ngjarja ndodhi më 28 nëntor të vitit të kaluar.

Policia tha se 34-vjeçari Hydajet Mehmedaj, banues në fshatin Mushan, i cili ishte i shpallur në kërkim, u vu sot në pranga pas një operacioni.

Policia Shkodër:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Mushan” duke çuar në pranga një nga autorët e ngjarjes së ndodhur më datë 28.11.2020, ku mbeti i vrarë shtetasi R. H.

Nga strukturat e posaçme të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe punës së mirorganizuar u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim:

Hydajet Mehmedaj, 34 vjeç, banues në fshatin Mushan, Shkodër.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pas informacioneve të marra dhe lokalizimit të tij në një bar-kafe në fshatin Mushan, Shkodër.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit D. M. (i shpallur në kërkim) dhe M. Gj. (i arrestuar ditën e ngjarjes), më datë 28.11.2020, ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. H., 46 vjeç, banues në fshatin Darragjat, Shkodër.

Për shtetasin Hydajet Mehmedaj, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër, më datë 01.12.2020, ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.