Ballina LAJME Vrasja e vëllezërve Bilali, lihet në burg krahu i djathtë i Licajve

Vrasja e vëllezërve Bilali, lihet në burg krahu i djathtë i Licajve

Lihet në burg krahu i djathtë i Ibrahim Licit, i kërkuar për vrasjen e dy vëllezërve Bilali. Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër, në seancën për verifikim të masës së sigurisë, dha “Arrest me burg” për Bajram Bregun, 33 vjeç, nga Shkodra, i arrestuar nga një operacion i forcave RENEA dhe FNSH në Tiranë.
Seanca e drejtuar nga gjyqtarja Irida Kacerja zgjati pak minuta, duke qenë se ishte thjesht për vlerësim mase, pasi Bregu është i dënuar me 4 vite burg me vendim të formës së prerë. Tashmë pritet që 33-vjeçari të vuajë dënimin prej 4 vitesh në një prej burgjeve të Shqipërisë.

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër dha “Arrest me burg” edhe për bashkëpunëtorin e tij, Bajram Çekorja. Prokurori i çështjes, Albert Murçaj, kërkoi “Arrest me burg” për Bajram Bregun, kërkesë që u pranua nga Gjykata, duke qenë se është një person i dënuar me vendim të formës së prerë.

HETIMET

Bajrush Bregu, i arrestuar tri ditë më parë në një aksion të RENEA-s dhe FNSH-së në Tiranë, është një prej “të fortëve” në Shkodër që njihet si krahu i djathtë i Ibrahim Licit, autori i dyshuar për vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Bilali, të ndodhur vetëm pak kohë më parë. 33- vjeçari që mban dhe emrin Bajram Bregu, fshihej në një banesë të marrë me qira në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.

Ai njihet si krahu i djathtë i Ibrahim Licit, autorit kryesor të dyshuar për vrasjen e vëllezërve Bilali më 30 mars të këtij viti dhe pjesëtar i familjes Lici, të cilët tashmë prej më shumë se një viti janë në përplasje me grupin tjetër kriminal Bajri, edhe këta të fundit të arrestuar që në shtator të vitit të kaluar.

Ai është një kontingjent i njohur për Policinë. Në 2016 është dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim, si dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa në vitin 2018, Policia gjatë një operacioni në banesë i gjeti një automatik kallashnikov. Barush ose Bajram Bregu, vitin e kaluar gjatë ndjekjes nga Policia e Shkodrës përplasi me mjetin e tij dy patrulla të Policisë, duke i shpëtuar ndjekjes. Përgjatë gjithë kësaj kohe ka qenë person i shpallur në kërkim dhe pas një viti u arrestua në Tiranë në banesë me qira te Komuna e Parisit.

Bregu dyshohet dhe për një sërë ngjarjesh të tjera kriminale, së bashku me Ibrahim Licin. Policia dyshon se Barush Bregu ka ndihmuar shokun e tij në vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Bilali, të ndodhur më 30 mars në Shkodër, por edhe në ngjarje të tjera kriminale. Gjithashtu, ai dyshohet edhe si personi që ka ndihmuar Ibrahim Licin në çdo lëvizje të këtij të fundit. Bashkë me 33-vjeçarin u kap edhe Bajram Çekorja, 21 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për përkrahje të Barush Bregut.