Ballina Aktualitet Vorë, lufta kundër informalitetit, 76 ton kafe pa akcizë, subjekti gjobitet me...

Vorë, lufta kundër informalitetit, 76 ton kafe pa akcizë, subjekti gjobitet me 18,4 milionë lekë

Aksioni kundër informalitet ka goditur një tjetër rast të fshehjes së produkteve të akcizës në Vorë, duke gjobitur subjektin tregtar përgjegjës me 18,4 milionë lekë.

Sipas burimeve nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, nga kontrolli i ushtruar në një magazinë fiskale të një subjekti tregtar që tregon kafe është konstatuar një mungesë gjendjeje në magazinë prej rreth 76 ton. Kjo do të thotë se subjekti tregtar e ka shitur atë sasi kafe, ndërkohë që nuk kishte paguar akcizën. Detyrimi i munguar i akcizës ishte rreth 4,6 milionë lekë dhe gjoba e vendosur për këtë shkelje ishte 13,8 milionë lekë.

Në këtë inspektim në zonën e Vorës ka qenë e pranishme edhe ministrja e financave dhe ekonomisë Anila Denaj, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Doganave Shqiptare, Arlind Gjokuta.

Ministrja Denaj, gjatë një prononcimi për mediat, tha se “nga analiza që bëhet çdo javë në kuadër të zbatimit të planit operacional kundër informalitetit rezulton se në produktet e akcizës, si karburanti, pijet alkoolike, kafja apo cigarja, ka shkelje nga ana e subjekteve dhe ndaj i bëri thirrje biznesit që të respektojnë detyrimet ligjore.”

Në lidhje me këtë shkelje të konstatuar në Vorë ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, duke thënë se “lufta kundër abuzuesve vazhdon pa pushim dhe do të shtrihet në çdo magazinë doganore, për të gjitha produktet e “rënda” të akcizës.”