Ballina Aktualitet Vlorë, punime restauruese në shtëpinë e Marigosë së flamurit

Vlorë, punime restauruese në shtëpinë e Marigosë së flamurit

Në shtëpinë e patriotes Marigo Posio, e cila qëndisi shqiponjën në flamurin që u ngrit në Vlorë nga Ismail Qemali vijojnë punimet restauruese në kuadër të projektit të restaurimit të qendrës historike të qytetit bregdetar.

Marigoja me dorën e saj qëndisi shqiponjën e flamurit që ngriti Ismail Qemali në Vlorë më 28 Nëntor të 1912.

Ky projekt i rëndësishëm synon t’i kthejë këtij qyteti shkëlqimin e dikurshëm.
Shoqata TID Vlora ( Zona për Zhvillimin e Turizmit), një organizatë jo-fitimprurëse që përfaqëson interesat e bizneseve dhe pronarëve të zonës bën të ditur se “ndërkohë që festat e Nëntorit po afrojnë, vijojnë punimet restauruese tek shtëpia e patriotes Marigo Posio e cila qëndisi shqiponjën në flamurin që ngriti plaku i mençur Ismail Qemali në Vlorë, më 28 Nëntor 1912”.

Projekti për restaurimin të qendrës historike të qytetit bregdetar është në funksion të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë, por edhe për t’i dhënë një impuls të ri të ekonomisë së qytetit në funksion të zhvillimit të turizmit.

Pranvera e ardhshme është koha, kur veç banorëve të Vlorës, këto ndryshime t’i shijojnë edhe turistët.
Projekti përfshin restaurimin e 68 banesave, mes të cilave përveç Shtëpisë së Marigosë edhe Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë.