Ballina Showbiz Vlorë, java e kuzhinës italiane, aktivitete të hapura për publikun

Vlorë, java e kuzhinës italiane, aktivitete të hapura për publikun

Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë ka planifikuar të organizojë aktivitete të shumta dhe të hapura, në kuadrin e Javës së Tretë të Kuzhinës Italiane nëpër Botë, që ka nisur këtë të hënë dhe do të vazhdojë deri në 25 nëntor.

Një pjesë e aktiviteteve të programuara do të jenë të hapura për publikun, ndërkohë që, të tjera do të zhvillohen në mjedise të institucioneve arsimore, kryesisht të nivelit 9 vjeçar.

Kuzhina italiane, që është tipike mesdhetare, ka disa karakteristika që e bëjnë atë tërheqëse dhe të veçantë krahasuar me lloje të tjera. Prandaj dhe ajo pëlqehet mjaft në vende të ndryshme të botës dhe vlerësohet si një nga resurset që ka ndikim në zhvillimin e turizmit në vendin fqinj.

Në këtë kuadër, Java e Kuzhinës Italiane, që këtë vit hyn në edicionin e tretë të saj, një nismë dhe organizim i Ambasadës së vendit fqinj në Tiranë, synon të përçojë vlerat e kësaj kuzhine në vende të ndryshme, si edhe ta bëjë atë pjesë të natyrshme të komuniteteve në këto vende.

Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, shprehet se, gjatë gjithë eventeve që do të zhvillohen, do të flitet për ushqim të mirë, të shëndetshëm, ndërkohë që do të synohet që protagonistët dhe pjesëmarrësit në këto aktivitete, të mësojnë elementë të ndryshëm të gatimit, veçanërisht atë të pastave të famshme italiane.

Këto aktivitete, pasojnë veprimtaritë e shumta të zhvilluara nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, të cilat në dy vitet e fundit janë intensifikuar dukshëm.

Vetëm gjatë këtij viti, janë organizuar më shumë se 30 aktivitete në fushën e kulturës, një pjesë në mbështetje dhe bashkëpunim me bashkinë Vlorë, në të cilat janë përfshirë qindra qytetarë.