Ballina Aktualitet Vlorë, i ‘zhvati’ 8 mijë euro të dashurës duke i premtuar se...

Vlorë, i ‘zhvati’ 8 mijë euro të dashurës duke i premtuar se do martoheshin

Edhe pse ishte babai i dy fëmijëve, 35-vjeçari nga Vlora kishte arritur që përmes premtimit se do të martohej me të, t’i merrte një vajze nga Fieri një shumë prej 8 mijë eurosh.

Kimet Çollaku për më shumë se një vit kishte arritur që përmes mashtrimit të zhvaste para nga e dashura e tij, me të cilën kishte një lidhje jashtëmartesore.

Babai i dy djemve minoren, pasi ishte njohur me një vajzë nga Fieri përmes rrjeteve sociale, i kishte premtuar asaj se shumë shpejt do të martoheshin dhe lidhja e tyre do të ishte zyrtare.

Gjatë kësaj kohe, 35-vjeçari me origjinë nga Librazhdi dhe banim në Vlorë, kishte arritur ta bindte të dashurën e tij që t’i huazonte para. Përgjatë një viti, Çollaku ka arritur t’i marrë të dashurës së tij një shumë prej 8 mijë eurosh. Duke qenë se i riu nuk po bënte asnjë hap për të mbajtur premtimin e dhënë për martesë si dhe nuk po i kthente paratë, vajza nga Fieri i është drejtuar Policisë për të bërë kallëzim për mashtrim.

Pas kësaj, Policia dhe Prokuroria nisën hetimet dhe e dërguan çështjen në Gjykatë. Kjo e fundit caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, gjë e cila çoi në arrestimin e Çollakut vetëm një ditë më parë.

“Ndalimi i K.Ç., 35 vjeç me banim në Vlorë, u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Mashtrimi’. Ai akuzohet se për një periudhë njëvjeçare, i ka marrë një shtetaseje me anë të mashtrimit shumën prej rreth 8 mijë eurosh”, bëhet e ditur nga Policia.

Ndaj të dyshuarit, hetimet janë ende në vijim për të zbuluar aktivitetin e plotë të tij. Paraprakisht po hetohen lidhjet me gruan nga Fieri për të cilën burime jozyrtare thonë se mund të ketë pasur një miqësi të lidhur vetëm dy vitet e fundit, çka nënkupton se gruaja mund të ketë ushqyer iluzione për një lidhje të gjatë mes tyre.

Por ndërsa kjo mbetet e pakonfirmuar, Policia po merr në pyetje të dëmtuarën, e cila do të çojë drejt një piste të qartë të përvetësimit të parave nga ana e të riut dhe për mënyrën se si përdoreshin paratë. Policia thekson se paratë i ishin marrë në formë borxhi, jo në formë dhurimi.