Dy automjete janë djegur gjatë orëve të para të mëngjesit në Vlorë. Ngjarje kjo e përsëritur disa herë në këtë qytet bregdetar.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen Pavarësia pranë ish-postës.

Automjetet Volkswagen me targa AB022BL dhe tip Ford AA401XF janë djegur rreth orës 1:00 të mëngjesit, poshtë pallatit ku banonin pronaret e tyre, të cilat janë kushërira me njëra-tjetrën (K.P dhe E.P).

Ato ishin shpërngulur para pak kohësh në këtë lagje.

Nuk mendohet që ngjarja të jetë e rastësishme, apo aksidentale. Dyshohet se makinat janë spërkatur me benzinë e më pas janë djegur.

Policia po mundohet të sekuestrojë pamje nga kamerat e sigurisë rreth e përqark pallatit për të identifikuar autorin apo autorët.

Ndërkohë të rejat po dëshmojnë për policinë nëse kanë patur konflikte me dikë.