Ballina Aktualitet Vlorë, BE mbështet bashkëpunimin rajonal për agrobiznesin

Vlorë, BE mbështet bashkëpunimin rajonal për agrobiznesin

Greqia, Bullgaria, Qipro dhe Shqipëria nxisin bashkëpunimin në fushën e agrobiznesit, përmes një projekti që mbështetet nga Bashkimi Evropian.

Asnjë biznes që synon tregjet ndërkombëtare, nuk mund të ketë suksesin e pritshëm duke qenë i vetëm. Në kompleksitetin e faktorëve që përcaktojnë profilin e këtyre tregjeve, lind domosdoshmëria e bashkëpunimit, e krijimit të grupimeve brenda fushave të caktuara të ekonomisë.

Ky trend bashkëkohor, po nis rrugëtimin edhe në Shqipëri, ku agrobiznesi po shndërrohet në një sektor promovues që synon të bëhet gjithnjë e më shumë i dukshëm në tregjet respektive rajonale e më gjerë. Në këtë drejtim, klasterat (Cluster – apo grupimet, siç shqipërohen ndryshe), si koncepte dhe forma konkrete bashkëpunimi ekonomike bashkëkohore, vlerësohen ndër më të suksesshmet.

Partnerë nga Greqia, Bullgaria, Qipro e Shqipëria, u mblodhën për të diskutuar së bashku hapat që do të ndiqen më tej, për të konkretizuar bashkëpunimin në kuadrin e Projektit FOCUS, pjesë e Programit BallkanMed, që financohet nga BE-ja.

Ky projekt, që ka startuar në muajin dhjetor të vitit 2017, ka si objektiv nxitjen e rritjes së konkurrueshmërisë së SME-ve në fushën e agroindustrisë dhe krijimin e një klasteri (grupimi) ballkanik.

Qëllimi është t’u ofrojë bizneseve mundësinë e njohjes me praktikat më të mira dhe hedhjen e bazave të kooperimit me simotra në vende të tjera si Greqi, Bullgari dhe Qipro. Projekti Focus- Programi INTERREG Balkan, do të synojë krijimin e klasterave transnacionalë në katër sektorë: Përpunimi i qumështit, prodhimi i vajit të ullirit, prodhimi i verës, perimet dhe drufrutorët, përmes hartëzimit të SME-ve, qendrave të kërkimit shkencor, organizatave përfaqësuese të biznesit dhe agroindustrisë, shoqërisë civile etj.

Në këtë takim, u vlerësua se, sektorët e agroushqimit, që synojnë grupet rajonale të agroushqimit, po nxiten efektivisht për t’u përfshirë në klasterin ballkanik që do të krijohet në kuadër të këtij projekti.

Me këtë argument, u hodhën ide se cili do të jetë grupi respektiv i synuar, cilat janë format e ndryshme të shërbimeve që do të ofrohen, çfarë lloj informacioni do të sigurohet nga klasteri rajonal etj.