Ballina Aktualitet Vlorë, arrestohet 45 vjeçari i shpallur në kërkim

Vlorë, arrestohet 45 vjeçari i shpallur në kërkim

Gazmir Mehmetaj, një 45-vjeçar lindur në Treblovë dhe banues në Vlorë, i cili kërkohej për trafikim të lëndëve narkotike, është vënë në pranga në kuadër të masave të operacionit policor “Forca e Ligjit”. Personi në fjalë u kap në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, pas kontrolleve që kishin nisur mbi bazën e informacioneve të marra nga uniformat blu.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë kishte vendosur ndaj tij masën e sigurimit personal të arrestit me burg, pasi akuzohej për trafikim të narkotikëve, vepër penale kjo e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë.

Vendimi ishte marrë më 29 maj 2017, ndërsa ngjarja për të cilën Mehmetaj akuzohet i referohet një procedimi penal në vitin 2013, pas gjetjes së një sasie lëndësh narkotike në rrethinat e Shkodrës, në vendin e quajtur Lugina e Vilunit.