Ballina Aktualitet Viktimat e abuzimit në familje meritojnë anonimitet: Flet gruaja e dhunuar nga...

Viktimat e abuzimit në familje meritojnë anonimitet: Flet gruaja e dhunuar nga vrasësi shqiptar

Një viktimë e abuzimit në familje ka nisur një fushatë për mbrojtjen në mënyrë automatike të anonimitetit të viktimave.

49-vjeçarja Chrysoulla Michaels u abuzua prej partnerit të saj Ardian Rragami, 47-vjeçar nga Browning Drive, Wickford.

Rragami kishte vrarë më parë një burrë me armë në Shqipëri, ndërsa tani është dënuar për sulm ndaj znj. Michaels. Pas kësaj ngjarje, ajo doli në faqen e parë të gazetës “the Sun”, për shkak të së kaluarës së tij dhe statusit të tij të paligjshëm.

47-vjeçari u dënua për sulm ndaj znj. Michaels, pasi e goditi atë dhe i preu nofullën me thikë kuzhine, gjithashtu dhe për sulmin ndaj fëmijëve.

Michaels kontaktoi disa organizata për të kërkuar që emri i saj të mos botohej në media për hir të fëmijëve të saj dhe ngaqë jeton në një qytet të vogël.

“Isha shumë e shqetësuar për fëmijët e mi, ata kanë parë të atin duke bërë shumë gjëra në shtëpi, por shpërndarja e kësaj në gazetë, e çonte situatën në një tjetër nivel”.

“Doja t’i mbroja sa më shumë që të mundja, prandaj nuk doja që emri im të publikohej, ishte e sikletshme.

Por emri im është aty tani dhe unë nuk mund të fshihem më prej tij. Emri im është atje dhe unë do të ngrihem që të flas për njerëz të tjerë, duke shpresuar se kjo nuk do të ndodhë me ta”.

Ajo po punon ngushtë me një avokat për të ndryshuar amendamentin e Ligjit për Abuzimin në Familje, me shpresën se ruajta e anonimitetit do të mbrojë viktimat e tjera.

“Në thelb, ajo që duam të themi është se viktimat e abuzimit në familje, si viktimat e dhunës seksuale, duhet të kenë një anonimitet automatik. Nuk ka dyshim se kjo do t’i jepte njerëzve besimin për të ecur përpara”.

“Duke qenë e ekspozuar në media me emër dhe mbiemër nuk është vetëm e sikletshme, por dëmton familjet e viktimave, karrierat, shëndetin mendor, marrëdhëniet e ardhshme. Ky ekspozim mund të frikësojë viktimat e tjera të flasin për abuzimet ndaj tyre për shkak se mund të dalin në media”.

“Sidoqoftë, autori i dhunës duhet të publikohet, në mënyrë që partnerët e tyre të ardhshëm të dinë se me kë kanë të bëjnë”.

“Ligji për abuzimin në familje duhet të përfshijë të drejtën e anonimitetit për të gjithë viktimat e dhunës në familje”.