Ballina Aktualitet Vendoset busti i Papa Gjon Palit II në Tiranë

Vendoset busti i Papa Gjon Palit II në Tiranë

Tirana nderoi sot Shën Gjon Palin II në 25 vjetorin e vizitës së tij në Shqipëri dhe në 40 vjetorin e zgjedhjes si Papa i parë jo italian.

Në prani të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Arqipeshkvit të Dioqezës së Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo, ambasadorit të Polonisë në vendin tonë, Karol Bachura e shumë besimtarëve dhe qytetarëve të Tiranës, u përurua busti i Papa Gjon Palit të II-të, i cili u vendos në sheshin pas Pallatit të Kongreseve.

“Sot Shqipëria, me në krye Tiranën, është mishërimi i këtij vizioni të emancipuar të Papës. Liria fetare, por edhe harmonia fetare, janë shembull i virtytit të mirë tek ne shqiptarët. Në Tiranë, në një kilometër katror mund të gjejmë Katedralen Katolike, mbrapa Galerisë së Arteve, Katedralen Ortodokse, përballë Shtëpisë së Gjetheve, një tjetër kujtesë e atij regjimi të vështirë dhe të rëndë sidomos për ata që ishin besimtarë, përballë Pidamidës kemi bustin e Papa Franceskut, kurse këtu përurojmë bustin e Papa Gjon Palit II, e pak metra më tej po ndërtohet xhamia e madhe. Nuk ka një kryeqytet tjetër në botë që në një kilometër katror të jetë i përfaqësuar me të gjitha ngjyrat e besimeve fetare,”- tha kryebashkiaku Veliaj.

Veliaj theksoi se busti i Papa Vojtilës ia shton edhe më shumë vlerat Tiranës, si simboli i një njeriu që la gjurmë në jetën e Kishës Katolike, larg intolerancës dhe nacionalizmave, por edhe që luajti një rol vendimtar në hapjen dhe ngritjen e kishave në gjithë vendet ish-komuniste, siç ishte edhe Shqipëria.