Ballina Aktualitet Ushqime të skaduara, AKU bllokon 13,3 ton produkte ushqimore

Ushqime të skaduara, AKU bllokon 13,3 ton produkte ushqimore

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar 13,3 ton produkte të pasigurta dhe që nuk janë në kualitetin e duhur për tu tregtuar.

Në një deklaratë për shtyp, AKU ka bërë me dije se në periudhën 1-25 tetor në rang vendi janë kryer 4011 kontrolle në të gjitha pikat doganore.

Sipas burimeve nga AKU, gjatë kësaj periudhe janë bllokuar 13,3 ton produkte ushqimore të papërshtatshme për konsum. Trupa inspektuese ka kryer procedurat për kthimin atyre produkteve në vendin nga kanë ardhur.

Konkretisht në pikën doganore të Durrësit janë bllokuar 4,5 ton oriz i ardhur nga Spanja. Kjo ngarkesë nuk shoqërohej me çertifikatë fitosanitare, gjë që bie në kundërshtim me legjislacionin.

Ndërkohë, në pikën doganore të Qafë Thanës janë bllokuar 1,8 ton domate me vend origjine Lituaninë, pasi nga konstatimet e bëra rezultonin me myk dhe të kalbura.

Përsa i përket pikës doganore të Hani të Hotit janë bllokuar 2,2 ton birrë, që vinin nga Çekia dhe 4,8 ton produkte të ndryshme ushqimore.

Në njoftimin për mediat, AKU bën të ditur se do të jetë gjithmonë në mbështetje të konsumatorit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore.