Ballina Aktualitet UPDATE / Kavajë, Shtëpia e të Moshuarve i ofron strehim pleqve të...

UPDATE / Kavajë, Shtëpia e të Moshuarve i ofron strehim pleqve të braktisur nga Berati

Bashkia e Kavajës dhe Shtëpia e të Moshuarve kanë filluar procedurat për strehimin e të moshuarve të braktisur nga qyteti i Beratit. Fisnik Krasniqi, drejtori i Shtëpisë së të Moshuarve, ka bërë të ditur se “institucionet vendore në Kavajë janë duke punuar që të moshuarit të strehohen në Shtëpinë e të Moshuarve.”

Qyteti i Kavajës u trondit nga lajmi i pazakontë i një çifti të moshuarish, të cilët prej tri ditësh qëndronin poshtë një peme, mbuluar me plasmas. Mësohet se të moshuarit, motër e vëlla në moshë të thyer, janë nga Berati dhe ishin nxjerrë jashtë shtëpisë nga familjarët e tyre.

Fillimisht, institucionet përgjegjëse qëndrore dhe vendore në Kavajë u gjendën disi të papërgatitur nga ky rast. Ata kanë tërhequr vëmendjen e vetë banorëve të Kavajës, që janë afruar t’i ndihmojnë të moshuarit me çfarëdo që kanë mundësi, si në ushqime, ashtu edhe në veshmbathje.

Ndërkohë, brenda pak orësh, Bashkia e Kavajës ka ndërhyrë me specialistët e saj, duke u ofruar të moshuarve fillimisht ndihmën e parë psikologjike dhe më pas edhe mjedisin e nevojshëm për strehim. Fisnik Krasniqi, drejtori i Shtëpisë së të Moshuarve në Kavajë, sqaron për NextNews.al se dy punonjës socialë të Shtëpisë së të Moshuarve i kanë ndihmuar pleqtë të kalojnë sa më lehtë traumën psikologjike të braktisjes, ndërkohë që ka shtuar se, deri në sqarimin e situatës së tyre familjare, “ata do të jenë të mirëpritur në Shtëpinë e të Moshuarve, në Kavajë.”