Ulja e avionit të parë në Kukës, reagon PD: Fluturime, si hapja e negociatave me BE-në

84

Partia Demokratike ka reaguar përmes një deklarate pas hapjes së aeroportit të Kukësit, ku sot u ul edhe avioni i parë.

“Hapja e aeroportit të Kukësit për fluturime ndërkombëtare, premtim tjetër i pambajtur i Edi Ramës. Ulja e një avioni të Air Albania në Kukës s’u bë nga Londra, siç premtoi Rama, por nga Rinasi, sepse aeroporti s’ka certifikata sigurie”, thuhet në deklaratë.

“Me Ramën në krye të qeverisë, fluturimet ndërkombëtare në Aeroportin e Kukësit janë si hapja e negociatave me BE: Ato nuk ekzistojnë. Ky është eksperimenti i fundit që Rama bën me shqiptarët. Kryeministri më i dështuar dhe më i paaftë në historinë e vendit do të largohet në 25 prill nga shqiptarët që duan ndryshim!”, ishte reagimi i Partisë Demokratike.

Reagimi vjen pak momente pas fjalës së kryeministrit Edi Rama, teksa u ul në Aeroportin e Kukësit me avionin e parë ku në bord ishin edhe disa emigrantë.