U vra me karrike dhe u gjend i zhveshur, si u ekzekutua Lamçja nga dhëndri i Qazim Sejdinit dhe shoku

68
Sokol Sanxhaktari, Adriano Hajdari, Florian Lamçe

Florian Lamçja i njohur ndryshe në Elbasan si “Shabani” u vra me shishe birre dhe goditje me karrike nga shokët e tij. Kjo është e vërteta e dalë nga vendimi i gjykatës për ngjarjen e 30 korrikut në orën 4 të mëngjesit.

“Shabani” u qëllua nga Sokol Sanxhaktari i cili njihet si ish-dhëndri i Qazim Sejdinit si dhe nga miku i tij Adriano Hajdari.

Të tre këta persona ndodheshin në një lokal në Elbasan duke pirë alkool dhe nargjile. Më pas Lamçja u gjend i mbuluar në gjak dhe i zhveshur. Pranë trupit të tij ndodheshin Sanxhaktari dhe Hajdari në pritje të policisë.

Tashmë për dy agresorët është dhënë masa e dënimit “Arrest me burg”, por të dy të pandehurit e kanë dërguar çështjen për apel në gjykatën e Apelit, Durrës.

Nga vendimi i gjykatës, i siguruar nga mediat, viktima e ka gjetur vdekjen pasi është goditur në kokë me sende të forta. Policia ka gjetur dhe sekuestruar një karrike të thyer, mjet i cili mendohet të jetë dhe arma e krimit me të cilin Lamçja është qëlluar disa herë në kokë.

Viktima ka patur dëmtime serioze në fytyre si dhe një plagë çarje me mjet prerës në parakrah, në dorën e djathtë.

Agresorët kanë rrëfyer se nuk mbanin mend nëse ka patur ndonjë konflikt, pasi ishin tepër të dehur.

Në raportin e shërbimit të punonjësve të patrullës së Elbasanit thuhet se: “Pas njoftimit të marrë nga salla për një konflikt në Bar-Kafe kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar një person të gjakosur, i zhveshur dhe i shtrirë përdhe. Pranë tij ndodheshin Sokol Sanxhaktari dhe Adriano Hajdari, të cilët i kanë shoqëruar pasi ambulance kishte marrë Florian Lamçjan për ta transportuar në spital. Gjithashtu është shoqëruar në policisë bashkë me Sanxhaktarin dhe Hajdarin. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, në lokal vërehen njolla të shumta gjaku, pjesë xhamash të thyer, një karrige e thyer, sende personale si çanta, një pasaportë biometrike në emër të Florian Shabanit etj”.