U fut në sheshin Skëndërbej me automjet, policia jep detaje për “shoferin e çmendur”

89

Policia e Shtetit ka dhënë njoftimin zyrtar mbi personin që u fut me makinë dhe rrezikoi jetën e shumë qytetarëve në sheshin Skëndërbej.

Burime bëjnë me dije se personi në fjalë është identifikuar si Arben Mema, dhe dyshohet se aktin e ka kryer nën efektin e lëndëve narkotike. Në momentin që është arrestuar atij i janë gjetur doza me lëndë narkotike, e dyshuar si kanabis.

Njoftimi i Policisë:

Në sallën operative ka ardhur njoftim se në sheshin “Skënderbej”, një drejtues mjeti ishte duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë, duke rrezikuar jetën e qytetarëve.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilët në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe qytetarë të rastit kanë bërë të mundur neutralizimin dhe prangosjen e drejtuesit të mjetit, shtetasit A. M., 32 vjeç, i cili është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme hetimore.

Nga verifikimet paraprake të Policisë nuk ka persona të lënduar dhe dyshohet se drejtuesi i mjetit është nën efektin e lëndëve narkotike.

Gjithashtu, këtij shtetasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë të dyshuar kanabis.

Ky drejtues mjeti fillimisht ka përplasur tri automjete në vende të ndryshme duke shkaktuar dëme materiale dhe më pas ka thyer barrierat mbrojtëse dhe ka hyrë në sheshin “Skënderbej” duke rrezikuar seriozisht qytetarët.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.