Ballina Aktualitet U denoncua nga banorët e zonës, Policia arreston shpërndarësin e drogës

U denoncua nga banorët e zonës, Policia arreston shpërndarësin e drogës

Policia e Elbasanit bën të ditur se ka finalizuar operacionin e koduar “Palma”, ku është arrestuar një shpërndarës droge me 200 euro fallco në xhep.

Shtetasit nga Tirana i janë gjetur disa doza të vogla hashashi, por Policia në njoftimin e saj nuk nguron të theksojë faktin se arrestimi i këtij 28-vjeçari erdhi si rezultat i bashkëpunimit me komunitetin.

“Finalizohet operacioni policor  i koduar “Palma”. Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla, falë bashkëpunimit me komunitetin. Sekuestrohet lëndë narkotike si dhe euro të falsifikuara. Në pranga poseduesi i tyre.

Specialistët e Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, mbi bazën e informacioneve të marra  falë bashkëpunimit me komunitetin, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Palma” me  arrestimin në flagrancë të shtetasit D.Th., 28 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij,  shërbimet e Policisë,  gjetën  dhe sekuestruan  në cilësinë e provës materiale  750 gramë lëndë narkotike e dyshuar  kanabis, si dhe dy kartëmonedha  me  prerje 100 euro, të cilat dyshohen se janë të  falsifikuara.  Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe  Falsifikimi i monedhave”, thekson Policia e Elbasanit.