Ballina LAJME Turqi, presidenti Erdogan: Do të nxjerr mësime nga humbja në Stamboll

Turqi, presidenti Erdogan: Do të nxjerr mësime nga humbja në Stamboll

Në paraqitjen e parë në publik pas humbjes së partisë së tij në zgjedhjet e përsëritura në Bashkinë e Stambollit, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u zotua se do të nxjerrë mësime dhe do të bëjë disa rregullime bazuar në “mesazhin e dhënë nga populli.”

Duke ju drejtuar deputetëve të partisë së tij, presidenti Erdogan e uroi përsëri kandidatin e opozitës Ekrem Imamoglu, i cili fitoi 54,21 përqind të votave në zgjedhjet e së dielës për postin e kryetarit të Bashkisë së Stambollit.

Rezultatet e zgjedhjeve të së dielës shënuan një humbje të rrallë elektorale për presidentin Erdogan dhe forcën e tij politike, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim. Ato ishin gjithashtu edhe një goditje personale ndaj tij, pasi ngjitja e Rexhep Tajip Erdoganit në politikën turke filloi 25 vjet më parë pikërisht me zgjedhjen e tij si kryebashkiak i Stambollit.