Ballina LAJME Turqi, përurohet nesër në Ankara spitali më i madh në botë

Turqi, përurohet nesër në Ankara spitali më i madh në botë

Turqia përuron nesër, në Ankara, spitalin më të madh në botë, një investim prej rreth 1,8 miliardë dollarë, ku rreth 20 përqind e fondeve u akordua nga buxheti i Turqisë dhe rreth 80 përqind nga partnerë të ndryshëm privatë.

Shiritin e përurimit do ta presë presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.

Ndërtimi i spitalit nisi që para katër vjetësh, kur qeveria turke arriti të sigurojë fondet nga partnerë të ndryshëm privatë, ku përfshihen shoqëritë më të mëdha në botë të sigurimit shëndetësor, si JBIC, NEXI, SMBC, BTMU, Nippon Life Insurance Company, Dai-ichi Life Insurance Company, Iyo Bank dhe Standard Chartered.

Në fakt, më shumë se sa një spital, qendra e re spitalore ka formën e një kampusi, i cili shtrihet në një sipërfaqe 950 000 metra katrorë. I ndarë në 17 shërbime të ndryshme, Spitali i Ankarasë mund t’u shërbejë më shumë se 30 000 pacientëve në ditë. Në total, spitali do të ketë të punësuar më shumë se 12 000 mjekë, infermierë dhe punonjës të tjerë shërbimi.

Vetëm shërbimi i urgjencës i kësaj qendre të re spitalore ka një kapacitet pritës prej rreth 8 000 pacientësh. Spitali ka 131 salla operacioni dhe rreth 700 shtretër vetëm në repartet e reanimacionit.