Turqi, ish-kryeministri Ahmet Davutoglu shpall themelimin e partisë së tij të re

47

Ish-kryeministri turk Ahmet Davutoglu ka themeluar një parti të re politike, një hap ky tregon vullnetin e tij për të sfiduar partinë në pushtet të presidentit Recep Tayyip Erdogan. Mediat turke kanë raportuar se Davutoglu ka dërguar edhe zyrtarisht aplikimin për të formuar partinë e re, e cila do të quhet Partia e së Ardhmes.

Në aktivin themelues të partisë së tij të re, që u zhvillua sot në Ankara, Davutoglu tha se liritë themelore të njeriut ishin baza për zhvillimin e vendit dhe shoqërisë. “Ne kemi nevojë të ndërtojmë një vend ku njerëzit të jetojnë të lirë dhe me dinjitet, në një kohë kur kudo në botë shihen tendenca drejt autoritarizmit, – nënvizoi Davutoglu. – Liria e medias mbetet një nevojë thelbësore për një shoqëri demokratike. Dhunimi i saj, monopolizimi i mediave, mjetet represive dhe antiligjore vetëm sa pengojnë kapacitetin intelektual të Turqisë.”

Në programin e partisë së tij të re, Davutoglu vuri në dukje edhe nevojën për më shumë të drejta për pakicat kombëtare dhe kulturore në vend. “Çdo kulturë, gjuhë, besim dhe traditë që gjallon në vendin tonë, – nënvizoi Davutoglu, – do të respektohet si trashëgimia jonë e përbashkët kulturore.”

Në fakt, kjo është partia e dytë që krijohet nga të larguarit prej Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim si rezultat i konflikteve me stilin e drejtimit të presidentit Erdogan, pasi edhe Ali Babacan, ish-zëvendëskryeministër, ka bërë të ditura planet e tij për krijimin e një partie të re.