Turizmi/Priten në fillim të qershorit çarterat e parë nga Moldavia, Polonia e vendet skandinave

31

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi theksoi se turizmi është një nga shanset që të   rikuperojmë ekonominë dhe ndër degët që mund të prodhojë para për të.

Shqipëria sipas Klosit ka 12 muaj të tërë që përgatitet për verën dhe mundësia e shfrytëzimit të sezonit është parësore. Në kuadër të kësaj Klosi informoi se brenda muajit do të hapen kufijtë tokësorë.

Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut bashkë me Shqipërinë janë vende të cilat do të tentojnë hapjen. Një hapje e cila do të shoqërohet me një rrespektim rigoroz të masave të higjenës dhe distancimit social.

Gjithashtu ministri deklaroi se me operatorë turistikë të vendeve si Moldavia, Bjellorusia e Polonia si dhe të vendeve skandinave kanë filluar diskutimet për të nisur çarterat e parë në fillim të qershorit. Klosi u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të fokusohen te turizmi vendas.

Sipas Klosit do të punohet që të shfrytëzohet turizmi dhe në shtator, tetor e nëntor. Ndër të tjera ministri ka kujtuar se turizmi është biznes tepër i rëndësishëm në Shqipëri dhe jep 35 përqind të kontributeve për ekonominë.