Ballina Aktualitet Turizmi në Durrës, investitorët hungarezë shfaqin interes

Turizmi në Durrës, investitorët hungarezë shfaqin interes

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim ambasadorin e Hungarisë në Tiranë Lorant Balla.

Ambasadori hungarez shfaqi një interesim maksimal për qytetin e Durrësit dhe atë çfarë ofron ky qytet për sa i përket veçanërisht sektorit të turizmit dhe atij ekonomik.

Kryebashkiaku Dako është ndalur në këto fusha e sidomos në fushën e turizmit duke e njohur ambasadorin Balla me llojet e ndryshme të turizmit që ofron Durrësi.

Kryebashkiaku Dako dhe ambasadori Balla biseduan rreth binjakëzimit të Durrësit me njërin nga qytetet kryesore hungareze për të vijuar më pas me intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike dhe atyre turistike, arsimore, kulturore etj.

Balla deklaroi se në vijim do të ndërmerren hapa konkretë për një binjakëzim të tillë që do të sjellë një rritje të numrit të turistëve hungarezë në Shqipëri si dhe nxitjen e investimeve hungareze në Durrës. Në fund të takimit i cili kaloi në një frymë shumë miqësore, kryebashkiaku Dako dhe ambasadori hungarez Balla shkëmbyen dhuratat e rastit.