Ballina Aktualitet Turizmi dimëror, Valbona destinacioni i preferuar

Turizmi dimëror, Valbona destinacioni i preferuar

Sezoni i turizmit dimëror ose turizmi i bardhë, tashmë ka nisur dhe  biznesi privat i ka filluar përgatitjet, ka ngrohur ambientet pritëse dhe kërkon ndihmën e pushtetit lokalë dhe atij qendrorë në mirëmbajtjen e rrugëve e shërbimeve energjetike e mjekësore për të qenë në lartësinë e duhur. Flitet për zonat e veriut të vendit ku dhe prania e dëborës është më e madhe dhe më e vizitueshme.

Thethi është vend i bukur për t’u vizituar, por është shumë vështirë për të shkuar atje në dimër, sepse, sipas Drejtorit të AdZM Shkodër Agim Dardha, nga Qafë Thorë deri në Theth, rruga është e vështirë dhe kalohet me mjete të larta. Ndërsa për në Razëm është e mundshme.

Po kështu, vështirësi në periudhën e dimrit paraqesin edhe Valbona. Besnik Hallaçi, specialist i AdZM Qarku Kukës që mbulon zonën e Tropojës, pohon se rrugë-kalimi drejt Luginës së Valbonës është i kalueshëm dhe vizitorët e bardhësisë janë të përditshëm, por sidomos në fundjavë. Hallaçi thotë se më të shumtit vijnë nga Kosova, por pritet që ndërrimi i viteve t’i gjej hotelet dhe bujtinat vendase të mbushura sepse rezervimet pothuajse janë mbyllur.

Turizmi malor duket se është shndërruar në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve. Tashmë dëshira për të kaluar pushime nuk mbetet vetëm në sezonin veror.

Dimri është një mundësi po aq bindëse për të kaluar bukur dhe ndryshe përmes udhëtimesh apo sporteve dimërore, peizazheve dhe natyrës së bukur. Në natyrën tonë ka disa vende që preferohen për pushimet dimërore.

Destinacionet më perfekte për të provuar një aventurë të tillë, çmimet dhe alternativat që ato ofrojnë, mundësitë infrastrukturore që deri diku janë të përballueshme në mënyrë normale, janë edhe Razma e Boga, në veri të vendit mbi Shkodër, por edhe Voskopoja e Dardha në zonën e Korçës.

Edhe Razma ofron mundësi për zhvillimin e disa llojeve të turizmit, më i frekuentuar është ai i skive në morenat akullnajore, sidomos në fushën e Zezë e në fushën sportive të kampit të Razmës etj.

Po kështu dhe Boga sipër Razmës është një destinacion tepër interesant për turizmin dimëror. Këtu keni mundësi të akomodoheni në disa shtëpi pritëse mjaft komode, të ushqeheni në restorantet e fshatit, të provoni gatimet tradicionale si, mishin e fërlikut, djathin e zier, kaçamakun, patatet në kaki etj.

Biznesi i turizmit të dëborës ka nisur përgatitjet për të pritur vizitorët e shumtë që preferojnë këto lartësi të ashpra malore që nisin me malësinë e Shkodrës e vazhdojnë me ato të Tropojës, Kukësit, Peshkopisë e të jugut të Shqipërisë.

Gjithnjë e më shumë shqiptarët kanë nisur që përveç pushimeve verore të bëjnë edhe disa ditë pushime në dimër, dhe vendi ynë i ka të gjitha kushtet për ta bërë këtë gjë. Nga veriu në jug janë të shumta destinacionet që mund të zgjedhim për të kaluar disa ditë duke shijuar bardhësinë e dëborës.

-Nisim me Thethin. Ky park kombëtar gjendet në Alpet Shqiptare, pranë Bjeshkëve të Namuna, 70 km nga Shkodra. Ai është i vendosur midis një kurore majash të thepisura, që spikatin për bukuritë e rralla në të gjithe Alpet. Thethi shquhet për kontrastet e relievit, ujëvarave, bimësisë së dendur, livadheve e sidomos ngjyrave. Në Theth gjenden bujtinat të cilat ofrojnë gatime tradicionale të vendit si dhe “kulla e ngujimit”. Në këtë zonë  mund të organizohen aktivitete të shumta në natyrë, si: ngjitjet malore, kajaket, sportet dimërore në shpatet me borë, biçikleta malore, ski etj.

-Razma, e vendosur 40 km në veri të qytetit të Shkodrës ky fshat është vendi ideal për të praktikuar alpinizmin dhe skitë. Fshati të ofron mundësi akomodimi në hotele dhe bujtina. Ka një klimë tipike malore, ajër shumë të pastër e me vlera kurative. Kullotat alpine, pyjet e ahut dhe të pishave janë karakteristike për këtë zonë në morenat akullnajore të së cilës mund të bëjmë edhe ski sidomos në fushën e Zezë , fusha sportive të kampit të Razmës.

-Lugina e Valbonës, pranë qytetit të Bajram Currit, është një destinacion shumë i vizituar. Të bësh një udhëtim në dimër në luginën e Valbonës, e cila njihet si mrekullia e ALpeve shqiptare, është një mrekulli shpirtërore për sa u përket emocioneve që të ofrojnë peisazhet e saj. Vlerat shkencore, turistike dhe kurative janë të kombinuara me një bio-diversitet të rëndësisë kombëtare dhe ndërkombëtare.

-Voskopoja, e cila ndodhet shumë afër qytetit të Korçës vazhdon të mbetet një prej destinacioneve të preferuara për të gjithë cilat zgjedhin të ftohtin dhe aventurat  Në skajin juglindor ka aventura nga më të ndryshme, duke filluar nga skitë dhe deri te shëtitjet në malet e mbuluara krejtësisht nga dëbora. Kuzhina tradicionale e me ushqime bio është një tjetër arsye që i nxit turistët të marrin sërish rrugën drejt Voskopojës.

-Dardha, është një fshat i thellë në zonën e Korçës, që në një ditë normale nuk ka më shumë se 40 banorë, por në ditë festash dhe pushimesh sezonale fshati mbushet nga vizitorët. Një bukuri e rrallë natyrore, në një lartësi 1 344 m, Dardha ofron një klimë shumë të shëndetshme e ajër të pastër. Sportet dimërore, sidomos skitë, tërheqin turistë të apasionuar pas tyre.