Tufa me lekë sipër tavolinave, çfarë ndodhi orët e fundit në Tiranë. Arrestohen 5 persona

27

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 5 persona pasi u kapën me aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit.

Gjatë operacionit të koduar ‘Fati i lojërave’, policia sekuestroi shuma të konsiderueshme parash, 11 njësi kompjuterike, lëndë narkotike kanabis, 10 aparate celular dhe sende të tjera të kundraligjshme.

Janë goditur 6 raste në vende e kohë të ndryshme, si dhe u bë arrestimi i:

-F. K, 36 vjeç dhe J. M, 23 vjeç, pasi në rrugën “Xhanfizo Keko” në lokalin në administrim të shtetasit F. K, sherbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin J. M, duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit nëpërmjet celularit. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lëndë narkotike kanabis, shuma prej 99.600 lekë të rinj, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme) dhe sende të tjera të kundraligjshme;

-B. H, 30 vjeç u arrestua dhe u shpall në kërkim M. N, 29 vjeç(qeramarrësi i lokalit), pasi në rrugën “Nikolla Tupe” në lokalin në përdorim nga shtetasi B. H, dyshohet se ushtronte aktivitet të paligjshëm të lojrave të fatit, i cili nuk i është bindur urdhërit të punonjësve të policisë për të hapur derën. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të lokalit u gjetën e sekuestruan 11 njësi kompjuterike, 6 aparate celular, 4 tavolina pokeri, 3 valixhe me fisha (çipsa) dhe sende të tjera të kundraligjshme;

-E. B, 26 vjeç, u vu në pranga pasi në rrugën “Muhedin Llagami” në lokal, ushtronte aktivitetin e paligjshëm të lojrave të fatit. Në brendësi të lokalit në një tavolinë të përshtatuar për lojra me çipsa, u konstatuan disa klient.

Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë bënë arrestimin e U. S, 40 vjeç, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit nëpërmjet celularit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua aparati celular dhe një shumë parash (të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme).

Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë L. G, 46 vjeç dhe L. B, 27 vjeç, pasi në lokaet e tyre përkatëse, u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit nëpërmjet celularit.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.