Ballina Aktualitet Tubimi i opozitës pasdite/ Zbardhet skenari i protestës, do të bllokojë regjistrimin...

Tubimi i opozitës pasdite/ Zbardhet skenari i protestës, do të bllokojë regjistrimin e kandidatëve në KQZ

Pas tubimit të dhunshëm mbrëmjen e së shtunës që u mbyll pas mesnate me sulme ndaj institucioneve me bomba molotov, fishekzjarrë e sende të forta ndaj efektivëve të policisë, pasditen e sotme opozita do të zhvillojë një tjetër, që sipas PD-së do të jetë marshim proteste. Burime për Report Tv pohojnë se marshimi i opozitës mund të vijojë dhe të zhvendoset te godina e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të bllokuar dorëzimin e listave nga partitë që janë regjistruar në zgjedhje, por edhe nga të pavarurit. Sot është afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve në KQZ dhe opozita do të tentojë që të mos lejojë dorëzimin e listave nga PS-ja, Bindja Demokratike, por edhe ish-aleatët e tjerë. Opozita e bashkuar ka deklaruar jo vetëm që nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, por ka paralajmëruar bllokimin e procesit të zgjedhjeve në 30 qershor.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha njoftoi se opozita do të mblidhet në orën 18:30 para Kryeministrisë për protestën e pestë kombëtare me qëllim largimin e Ramës. “Le të derdhemi në orën 18:30 në shesh në betejën për Shqipërinë si gjithë Evropa. Asnjë hap pas, vetëm para. Zoti ju bekoftë” u shpreh lideri demokrat dje duke shtuar se nuk do të ketë proces zgjedhor fals me qeverinë Rama. 50 persona u arrestuan pas protestës së dhunshme të opozitës para kryeministrisë, Parlamentit dhe drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërkohë në total janë 84 persona të proceduar, mes të cilëve ish-deputetët Gent Strazimiri, Flamur Noka dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi.Nga protesta u lënduan disa persona, 4 protestues mes tyre sekretari organizativ i PD-së, Sahit Dollapi për të cilin PD-ja protestoi para drejtorisë së policisë duke kërkuar lirimin e tij dhe një operator. Ndërkombëtarët kanë dënuar dhunën e ushtruar nga protestuesit.