Ballina Aktualitet Tsipras kërcënon Ramën: Bllokojmë negociatat për Shqipërinë në BE, nëse…

Tsipras kërcënon Ramën: Bllokojmë negociatat për Shqipërinë në BE, nëse…

Kryeministri i Greqisë Aleksis Tsipras ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të qeverisë shqiptare. Ai tha se një zhvillim negativ po ndodh me minoritetin grek në Shqipëri, konkretisht në Himarë.

Duke folur nga Bukureshti gjatë një samiti mes 4 shteteve Greqi-Bullgari-Serbi-Rumani, kryeministri grek u shpreh se sot kishte marrë informacion lidhur me pronat e minoritetit grek në Himarë, por që këto të dhëna duhet të verifikohen.

Kreu i qeverisë greke kërcënoi Ramën se ‘nëse rrëmbehen pronat e minoritetit, Greqia do të bllokojë procesin e negociatave të Shqipërisë për në Bashkimin Europian’.

“Kohët e fundit po shikojmë zhvillime që nuk na pëlqejnë. Sot mësova që ka pasur një zhvillim negativ në lidhje me pakicën greke. Nëse është e vërtetë, do të jetë një zhvillim shumë negativ. Një çështje që fatkeqësisht neve nuk na jep optimizëm drejt perspektivës europiane.

Nëse informacioni që disponojmë, është i vlefshëm, nuk ekzistojnë parakushte për të ecur në këtë drejtim. Shpresoj të jem i gabuar! Sepse dëshira e të gjithëve është që hapat drejt perspektivës evropiane, të bëhen realitet. Por, ne çdo shtet e shikojmë veç e veç”, – u shpreh Aleksis Tsipras.

Sipas mediave greke, kryeministri i referohej një informacioni që kishte marrë se qeveria shqiptare e drejtuar nga Edi Rama ka konfiskuar prona të minoritetit grek në Himarë përmes një vendimi të botuar në Fletoren Zyrtare.