Ballina BOTA Trump, pritet të takohet me ligjvënës demokratë për çështjen e murit

Trump, pritet të takohet me ligjvënës demokratë për çështjen e murit

Presidenti Donald Trump, pritet të takohet me udhëheqës demokratë në Kongres, në një përpjekje përfundimtare për të siguruar financimin e murit me Meksikën, si pjesë e paketës së shpenzimeve qeveritare që duhet miratuar deri më 21 dhjetor.

Financimi i murit shënon veprimin e fundit legjislativ të Kongresit të kontrolluar nga republikanët dhe një projektligj i domosdoshëm për t’u miratuar, me qëllim që të shmanget mbyllja e pjesëshme e qeverisë në prag të festave.

Presidenti Trump pritet të takohet sot me udhëheqësin e pakicës demokrate në Senat Chuck Schumer dhe me udhëheqësen demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, në përpjekje për të gjetur një kompromis për kërkesën e tij për një fond deri në 5 miliardë dollarë për financimin e murit gjatë vitit fiskal 2019.

Presidenti Trump thotë se muri me Meksikën do të ndalë hyrjen e imigrantëve të paligjshëm nga Amerikan Qendrore për në Shtetet e Bashkuara.

Administrata Trump siguroi financime me vlerën e $1.375 miliardë dollarëve për sigurinë kufitare në buxhetin e vitit fiskal që përfundoi më 30 shtator. Ky fond nuk përfshinte para për të financuar ndërtimin e murit.