Ballina BOTA Trembëdhjetë minatorë humbin jetën në Çeki

Trembëdhjetë minatorë humbin jetën në Çeki

Trembëdhjetë veta kanë humbur jetën si pasojë e shpërthimit të gazit në një minierë qymyri në verilindje të Republikës Ceke.

Zëdhënësi i kompanisë së minierave OKD, Ivo Celechovsky, tha se 11 të vdekur ishin shtetas polakë ndërsa dy ishin çekë. 10 minatorë të tjerë u plagosën në shpërthimin e së enjtes pasdite në minierën CSM në afërsi të qytetit Karvina.

Televizioni publik çek njoftoi se dy nga të plagosurit janë ende të shtruar në spital në qytetin Ostrava, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë, ndërsa një tjetër minator u trajtua në qytetin Karvina.

Shpërthimi ndodhi rreth 800 metra nën tokë.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë së minierave OKD, Boleslav Kowalczyk, tha se përpjekjet e shpëtimit po vazhdojnë të premten, përkundër faktit se në minierë ka ende zjarr.

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, dhe homologu i tij çek, Andrej Babis, kanë ngushëlluar familjet e viktimave. Të dy udhëheqësit pritet të vizitojnë minierën gjatë ditës së premte.

“Dua të shpreh keqardhjen time më të thellë për të gjitha viktimat e fatkeqësisë në Karvina,” tha Morawiecki. “Kjo është një tragjedi e madhe për të gjithë polakët dhe çekët”, tha ai.

Presidenti polak, Andrzej Duda, gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij në rrjetin social Twitter duke shkruar: “Zot kujdesu për familjet e minatorëve. Prehuni në paqe”.