Ballina Stil / Modë Tre mënyra kombinimi për kambalet dimërore

Tre mënyra kombinimi për kambalet dimërore

Nëse ka një aksesor që nuk do të donim ta hiqnim nga këmbët këto ditë të ftohta dimri, janë çizmet e rehatshme dhe të ngrohta.

Sot do të flasim pikërisht për Kambalet e famshme që janë aksesori më i preferuar i këtij sezoni dhe si t’i kombinojmë.

Për të na ndihmuar me këshilla stili, fashionista Linda (lindadido) vjen me 3 kombinime të ndryshme.

Detaji që nuk do të kalojë pa u vënë re janë çorapet pak të dala mbi qafën e çizmeve që këtë sezon, nuk keni arsye përse t’i fshihni poshtë tyre.

Kombinimin e parë do ta adhuroni. Arsyeja? Pelushi i hedhur krahëve. Fashionista Linda Dido ka përzgjedhur një pelush me animal print dhe një fustan ngjyrë vishnjë, të shkurtër me një rrip në mes që kombinohet mjaft mirë me çantën me dizajn dhe ngjyra.

Detaji që bën diferencën janë çorapet e dala mbi çizmet që kombinojnë me fustanin.

Kombinimi i dytë është mjaft elegant dhe do t’ju bëjë të dukeni si një vajzë parisiene. Linda ka përzgjedhur këtë herë një pelerinë të gjatë të cilën e ka kombinuar me një fund kadife dhe një pulovër ngjyrë jeshile ulliri.

Këto ngjyra toke thyhen me jeshilen e errët të kambaleve dhe çantën e zezë me rrip të shkurtër. Sigurisht nuk mungon edhe këtu detaji i çorapeve që e bën edhe më me stil veshjen.

Kombinimi i tretë është ideal për ato që e duan elegancën dhe sportiven.

Fustani elegant prej kamoshi në ngjyrë gri i jep një pamje tepër femërore me të çarën në njërën anë. Ai është kombinuar me një bluzë sportive Hoodie, në të njëjtën ngjyrë.

Aksesori që bën diferencën janë Kambalet me lidhëse dhe në ngjyrë të errët që e bëjnë më “casual” veshjen dhe për më tepër shumë të rehatshme.