Ballina LAJME Tre kuksianë tentojnë ta marrin peng, polici u merr armën dhe plagos...

Tre kuksianë tentojnë ta marrin peng, polici u merr armën dhe plagos njërin prej tyre /Shkak: Borxhet e vëllait

Një efektiv policie, student për gradë në Akademinë e Sigurisë (Fakulteti i Hetimit dhe Krimit), u tentua të merret peng nga tre persona, të njohur për të, por arriti të shpëtojë duke marrë armën e njërit prej autorëve, të cilin e la të plagosur me plumb në bark. Ngjarja ndodhi pranë një lokali, që ndodhet përpara Akademisë së Sigurisë në zonën e Saukut, në periferi të Tiranës. Shkak për këtë ngjarje mësohet të jetë bërë një borxh i vjetër që vëllai i punonjësit të policisë i kishte marrë personave që kërcënuan me armë efektivin për ta marrë peng.

Efektivi i policisë, nëninspektor Ndue Ndoj 25 vjeç u largua nga vendi i ngjarjes së bashku me autorët e tjerë, ndërsa i plagosuri Ervis Murati 27 vjeç, u transportua në spital ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndue Ndoj, u vetëdorëzua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku mësohet se tashmë hetimin e çështjes e ka marrë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Dinamika e ngjarjes

Efektivi i policisë, Ndue Ndoj, nga Lezha, i cili studion në vitin e parë në Akademi për të marrë gradën nënkomsiar, ishte duke pirë kafe në një lokal përballë Akademisë së Sigurisë. Përpara lokalit (në parkimin e ambientit që ishte edhe hotel), e prisnin me makinë tre persona të cilët dyshohet të jenë me origjinë nga Kukësi. Sapo Ndoj ka dalë në rrugë, personat i kanë dalë para duke i vënë armën në kokë ku i kanë kërkuar të futet në makinë, në tentativë për ta marrë peng. Burime për Shqiptarja.com thonë se 25-vjeçari u ka dhënë  autorëve të besojnë se do të shkonte me ta në automjet, por sapo kanë tentuar ta fusin brenda, efektivi ka marrë armën e njëri prej autorëve duke e qëlluar me një plumb në bark.

Të gjithë të përfshirët, së bashku me policin 25-vjeçar, janë larguar menjëherë, duke lënë të vetëm në automjet të plagosurin, i cili më tej është transportuar me ambulancë për në spital. Dy të tjerët janë larguar menjëherë për të shpëtuar veten nga efektivi që tashmë kishte në dorë armën e 27-vjeçarit Murati. Pika të shumta kontrolli u ngritën nga policia për të mundësuar kapjen e të përfshirëve në ngjarje, por tashmë në spital i arrestuar ndodhet i plagosuri Ervis Murati, dhe i vetëdorëzuar në policinë e Tiranës është vetë efektivi i policisë. Dy të tjerët janë ende në kërkim policor.

Nën-inspektori teksa futej tek dera e makinës i ka marrë armën 27-vjeçarit Ervis Murati, pasi vetë Ndue Ndoj nuk ka armë. Nga sa Shqiptarja.com mëson gjatë tre viteve të studimit në Akademinë e Sigurisë, punonjësit e policisë nuk janë të pajisur me armë. Në përfundim të shkollës dhe me emërimin në detyrë me gradën e re, ata pajisen me armë.

Dëshmia që vetë 25-vjeçari ka dhënë pranë hetuesve pritet të hedhë dritë mbi këtë ngjarje dhe përfshirjen e personave të tjerë, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur. Shqiptarja.com mëson se 25-vjeçari kishte njohje me personat që e thirrën në automjet duke e kërcënuar me armë në kokë se do ta merrnin peng. Konfliktet e tyre janë të vjetra, pasi të njëjtët persona e kishin kontaktuar edhe më parë duke i kërkuar një borxh që vëllai i punonjësit të policisë i kishte marrë grupit nga Kukësi.

Policia ka qenë e rezervuar në dhënien e informacioneve zyrtare

“Në afërsi të një parkingu të një hoteli në Sauk, gjatë një konflikti të çastit për motive  ende të paqarta, shtetasi N.N dyshohet se ka plagosur me armë zjarri jashtë  rrezikut për jetën   shtetasin E.M.,27 vjeç, banues në Tiranë. Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe  po punon për zbardhjen e rrethanave tê ngjarjes. Shërbimet e Policisë po krehin zonën dhe kanë ngritur pika kontrolli për kapjen e autorit i cili është shpallur menjëherë  në kërkim policor”, thuhej në njoftimin e vetëm dhënë nga Policia e Tiranës.