Ballina OPINION Tre aktorët që vendosin në Shqipëri e Kosovë

Tre aktorët që vendosin në Shqipëri e Kosovë

nga Preç Zogaj

Përfaqësuesit e lartë të Kosovës, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli morën javën që shkoi një letër të rrallë nga zyrtarë të lartë amerikanë, në të cilën, me një leksik dhe thurje të panjohur deri më sot në komunikimin publik të Uashingtonit me politikanë shqiptarë, shprehnin zhgënjimin e tyre në lidhje me injorimin nga qeveria e Kosovës të kërkesës së vazhdueshme amerikane për të pezulluar taksën doganore ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

Ja disa nga fjalitë e përdorura:

“Kosova nuk ka mik më të mirë se Shtetet e Bashkuara. Ne kemi punuar së bashku për vite të tëra për të ndërtuar të ardhmen, për popullin e Kosovës që të jetojë ashtu siç ka zgjedhur, në paqe”.

“Është e pabesueshme që pas gjithë asaj që kemi bërë së bashku, Kosova vlerëson miqësinë tonë kaq ulët sa të injorojë këshillën tonë”.

Asnjë koment nuk e arrin shijen e keqardhjes, dëshpërimit dhe alarmit që përcjellin këto fraza. Është një gjë e rëndë në traditën tonë kur miku detyrohet të të numërojë disa nga shërbimet e jashtëzakonshme që të ka bërë. Shumë më e rëndë, fatale madje do të ishte për Kosovën dhe kombin shqiptar ngrirja e partneritetit strategjik me SHBA.

Zyrtarët amerikanë nuk janë mjaftuar me shprehjen e zhgënjimit, por paralajmërojnë të ndërmarrin hapa që mund të përfshijnë deri rishikimin e partneritetit me Kosovën në fushën e sigurisë. Si hap i parë ishte anulimi i vizitën së planifikuar të Gjeneralit të Gardës Kombëtare të Iowa-s në Kosovë.

Ç’është kjo që po ndodh? Çfarë i ka motivuar zyrtarët e lartë të qeverisë së Kosovës të sfidojnë në këtë shkallë një kërkesë të SHBA-ve dhe BE-së? Sovranizmi? Miopia? Kryeneçësia? Rivalitetet e brendshme? Çfarë tjetër? Çdo motiv ka mbështetësit e vet. Për të gjetur të mesmen apo të drejtën në këtë festival opinionesh, që reflektojnë dhe njëkohësisht formojnë vendimmarrjen e drejtuesve, në rastin konkret të përfaqësuesve më të lartë të shtetit të Kosovës, ia vlen të thuhen e të mbahen parasysh disa të vërteta të gjithëpranuara nga shumica dërmuese e shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëria.

1-Shqipëria, Kosova dhe kombi shqiptar nuk kanë mik më të mirë se SHBA-të në planet.

2-Liria, demokracia, siguria dhe e ardhmja jonë janë të lidhura ngushtë dhe të kushtëzuara nga partneriteti strategjik me SHBAtë dhe BE-në.

3-Çfarë ka ardhur e vjen nga Uashingtoni ka qenë dhe është jo vetëm e mirë, por shpëtimtare për kombin shqiptar. Duke filluar me sigurimin e pavarësisë së Shqipërisë para një shekulli, duke vazhduar me çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës në dy dekadat e fundit e deri të bashkautorësia në hartimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipërinë e sotme.

4-Pa rolin e partnerëve dhe miqve të familjes perëndimore, Shqipëria ka fatin e keq të jetë ose diktaturë, ose anarshi. Këtë ka treguar e tregon historia jonë. Elitat tona drejtuese në përgjithësi andej rrëshqasin kur ethet e pushtetit i shtyjnë drejt sovranizmit arkaik izolacionist.

5-Shqipëria dhe Kosova nuk kanë hesap për asnjë lloj arsyeje të qëndrojnë përballë partnerëve amerikanë dhe miqve në Europë. Interesi mbarëkombëtar sot dhe përgjithmonë është të qëndrojmë përkrah tyre. 6-Qytetarët shqiptarë, me parti apo pa parti, duan që drejtuesit e tyre në pushtet dhe në opozitë të qëndrojnë në vlerat e euroatlantizmit, të bashkëpunojnë ngushtë dhe të gjejnë gjuhën me partnerët kur ka probleme për t’u diskutuar; qytetarët nuk duan që drejtuesit e tyre të ndjekin synime të paqarta që nuk bashkëndahen, apo, më keq akoma, krijojnë përplasje të dëmshme me partnerët.

Të gjithë këto nuk e cenojnë sovranizmin në kuptimin që ka ky nocion në kohën e integrimit dhe globalizimit. Sa për jesmenizmin, duhet ta themi, se drejtuesit politikë shqiptarë kanë qenë të parët që e kanë përqafuar në mënyrë të neveritshme sa herë u ka leverdisur për vete. Mirëpo, jesmenizmin nuk e duan vetë partnerët. Duan partnerë. Mënyra si funksionojnë dhe interesat që kanë në Shqipëri e përjashtojnë interesin e tyre që përfaqësuesit vendas të sillen si jesmenë.

Në gjithë këtë kontekst, duhet të mendojmë më thellë rreth rolit dhe peshës së faktorit ndërkombëtar në Shqipëri dhe Kosovë. Skena politike në Shqipëri që prej vitit 1991 dhe në Kosovë që nga viti 1999 ka qenë përgjithësish dhe fatmirësisht trepolare. Qeveritë, opozitat, ndërkombëtarët. Në periudhën që po jetojmë mua më duket se në këtë tripolaritet ka një rritje të ndjeshme të rolit të partnerëve ndërkombëtarë, që janë angazhuar fuqishëm në çështje, të cilat qeveritë dhe opozitat kanë dështuar t’i zgjidhin me njëra-tjetrën. Në rastin e Shqipërisë, një çështje e tillë është Reforma në Drejtësi. Në jetën e një vendi ka gjithmonë një ngjarje boshtore, rreth së cilës mblidhet zhvillimi politik i periudhës. Në këtë periudhë, ngjarja boshtore në Shqipëri është, sipas meje, nisja e trenit të drejtësisë së re me bashkautorësi amerikane dhe evropiane, që është konceptuar për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në sferat e larta në rrugë ligjore. Kush nuk e llogarit këtë në vendimmarrjet politike apo në analizë mendoj se gabon. Vendi pret të shohë produktin e drejtësisë së re, që lidhet me ngritjen e SPAK-ut dhe BKH-së brenda majqershorit të këtij viti dhe fillimin e punës konkrete në shtator. Në bindjen time, opozita e ka në favor edhe elektoralisht këtë zhvillim historik që mbështetet financiarisht dhe me logjistikën e nevojshme nga SHBA dhe BE. Ndaj “martesa” e kauzës opozitare për zgjedhje të lira me qasjen që reflekton këtë raport me kalendarin e Reformës në Drejtësi e forcon opozitën sepse e vendos në një gjatësi vale me partnerët strategjikë. Që, siç e thamë, janë një pol fuqie në trepolaritetin shqiptar, sa i takon Reformës në Drejtësi dhe me gjerë.