Ballina Aktualitet Trazirat politike, të huajt anulojnë rezervimet në Shqipëri

Trazirat politike, të huajt anulojnë rezervimet në Shqipëri

Në prag të sezonit turistik, ku pritshmëritë janë të mëdha për të ardhur sa më shumë turistë të huaj në Shqipëri, duket se trazirat politike kanë ndikuar negativisht pasi të huajt stepen për të kaluar pushimet në vendin tonë, madje operatorët turistik thonë se ka pasur anulime rezervimesh.  Në kushtet kur vendi po përballet me protesta të dhunshme, për operatorët turistikë dëmin më të madh e pëson sektori i turizmit. Në një intervistë për mediat, operatori turistik Besnik Vathi thotë se fluks anulimesh ka pasur  nga  shtetasit izraelitë në muajin prill dhe në fillim të muajit maj. Kërkesa për anulime nuk kanë munguar as nga turistët perëndimorë. “Protestat kanë ndikuar goxha, sepse që nga moment i fillimit të tyre ne kemi pasur një rënie të kërkesës së turistëve me mbi 30-35% sa i përket ardhjeve” shprehet ajo.

Mungesa e një konsensusi politik dhe një situatë aspak të qëndrueshme në vend ka sjellë rënie të kërkesës së turistëve për të pushuar në Shqipëri. Drejtori i një agjencie turistike në kryeqytet Saimir Tresa thotë se rënia e kërkesave ka qenë më shumë se 30-35%. “Turistët izraelitë të cilët këtë vit kanë parashikuar shumë fluturime gjatë sezonit pranverë deri ën vjeshtë dhe filluan anulimet e para në muajin prill dhe në fillim të majit. Më shumë anulime rrezikohen nga turistët perëndimorë pasi ata janë më të ndjeshëm për situatën politike të një vendi”.  Në 2018-n, vendin tonë e vizituan një numër rekord prej  5.93 milionë të huajsh, me një rritje prej rreth 16% në raport me vitin e mëparshëm, ndërkohë pritshmëritë këtë vit nuk janë aq të mëdha.