Tragjedi në Tribistovë, katër djem e katër vajza gjenden të pajetë

340

Tetë të rinj të moshës 18-20 vjeç janë gjetur të vdekur në një vilë private në Tribistovë, fshat i komunës Posushe në jugperëndim të Bosnje Hercegovinës.

Ky fshat ndodhet 150 km në jugperëndim të Sarajevës.

Zëdhënësja e policisë, Martina Medic ka thënë për AP se policia është lajmëruar për ngjarjen e tmerrshme rreth orës 10:00 të mëngjesit.

Mediat vendase informojnë se të rinjtë studentë janë helmuar nga rrjedhja e gazit që është shkaktuar nga një gjenerator i cili përdorej për ngrohje.

Të rinjtë ndodheshin në vilë për të festuar ndërrimin e viteve.

Të nesërmen një fqinj shkoi në vilë për të uruar Vitin e Ri, por asnjë nuk iu përgjigj trokitjeve të tij. Më tej ai vuri re se gjeneratori ishte i ndezur. Kjo e bëri të dyshonte për një rrjedhje gazi.

Fqinji theu xhamin e pa skenën e tmerrshme, e cila shkaktoi një shqetësim të thellë në mbarë vendin.