Ballina RAJONI Torino, protesta e dhunshme, 11 të arrestuar e katër të plagosur

Torino, protesta e dhunshme, 11 të arrestuar e katër të plagosur

Marshimi i protestës së anarkistëve në Torino, i organizuar pas dëbimit të një azilanti të punësuar prej vitesh, solli një skenë guerrilase urbane, pasi rezultoi me dhunë, hedhje gurësh, zjarrvënie nëpër kosha dhe përplasje me Policinë.

Katër persona kanë mbetur të plagosur, një prej të cilëve është rëndë dhe 11 të tjerë mësohet se kanë mbetur të arrestuar nga autoritetet vendase. Protestuesit u arrestuan për përleshjet e ndodhura dhe vënie zjarri në një zonë afër qendrës historike të Torinos.

Situata është normalizuar pas pothuajse dy orëve përleshjesh. Me koshat e përmbysur, anarkistët krijuan barriera në rrugë, duke përhapur panik midis kalimtarëve dhe banorëve. Një grup anarkistësh sulmuan një autobus të linjës në qytet, duke terrorizuar shoferin dhe udhëtarët. Pasi hipën në bord, demonstruesit shkatërruan autobusin dhe hodhën gaz lotsjellës.