Topalli shpërthen në akuza ndaj Bashës: “Humbi sa herë hyri në zgjedhje, la vendin pa opozitë”

42

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka shpërthyer në akuza ndaj kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Gjuha e saj ka qenë tepër e ashpër duke u shprehur se Basha tradhëtoi demokratët, humbi sa herë hyri në zgjedhje e la vendin pa opozitë.

“Humbi sa herë hyri në zgjedhje, që kur u shpall kryetar i PD, la vendin pa opozitë, bëri PD (Partinë e ëndrrave ) karnaval, tradhtoi demokratët duke djeg mandatet e parlamentit, i dhuroi Ramës të gjitha bashkitë dhe këshillat Bashkiak, shpalli vetëngrirjen dhe vrau votën në partinë, që solli lirinë e votës, zboi themelues, qendërstare, autoritete e kontribues, shpartalloi çdo strukturë të partisë të ngritur me sakrifica titanike”, shkroi Topalli në Facebook.

Ndër të tjera ajo ka shkruar se Basha bëri sikur i harroi premtimet e tij dhe se kreu i PD e ka kthyer partinë në biznes të familjes.

“Premtoi se nuk do lejonte zgjedhje me 30 qershor dhe bëri sikur e harroi, premtoi se nuk do dorëzonte bashkitë dhe i lëshoi pa asnjë problem, premtoi se do kishte zgjedhje me 13 tetor meqë kishte fitu me 85% ..dhe bëri sikur se mbante mend; premtoi në çadër se s’ka zgjedhje me Ramën dhe hyri në qeveri me Ramën kryeministër, i doli zot listës së tij private , tha se mbante totalisht përgjegjësi dhe tani bën sikur ia kanë sjellë nga marsi. Ktheu partinë në biznes të familjes…”-shkroi Topalli, ish-nënkryetare e PD.