Ballina Aktualitet Tmerri, si ia hoqa ujkut nga dhëmbët nipin 5-vjeçar

Tmerri, si ia hoqa ujkut nga dhëmbët nipin 5-vjeçar

Mjekët e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës për herë të parë e trajtuan një rast të pacientit që u kafshua nga ujku. Pesëvjeçari nga një fshat i Hanit të Elezit mori lëndime të rënda trupore në kokë, duar, bark e këmbë. Ai po trajtohet në QKUK dhe gjendja shëndetësore e tij, sipas mjekëve, është stabile. Express jua sjellë rrëfimet e babait të djalit si dhe të mjekëve për këtë rast. Shkruan gazetarja Gentiana Hasani.

Loja me top gati përfundoi me tragjedi për pesëvjeçarin A. Suma nga fshati Dimcë i komunës së Hanit të Elezit. Ai pasditen e djeshme u sulmua nga një kafshë jo e zakonshme, derisa po luante me motrat e vëllanë e tij.

Ishte ora gati gjashtë e pasdites. Pesëvjeçari A.Suma po luante në një arë pranë shtëpisë së tij. Por loja atyre iu ndal nga një ‘mysafir’ jo i këndshëm. Ujku u shfaq në mes të arës, duke iu vërsulur atyre. Kafsha e egër kishte arritur që ta kafshojë pesëvjeçarin, duke i shkaktuar lëndime jo të lehta trupore.

Ai u tërhoq zvarrë nga ujku për disa metra. Si pasojë, A.Suma mori lëndime në kokë, krah, këmbë e bark.

Fatmirësisht, pesë vjeçari u shpëtua nga xhaxhai i tij, i cili e kishte marrë nipin dhe me urgjencë e kishte dërguar për në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

E babai i A. Sumës, Mitati, i cili ndodhet bashkë me djalin e tij në QKUK, ka shpjeguar për median se nuk ishte në shtëpi në momentin kur djali i tij u sulmua nga ujku. Ai ka thënë se nuk është hera e parë që në fshatin e tij janë parë ujqërit.

“Unë nuk kam qenë në shtëpi kur u sulmua djali. Kam arritë në QKUK disa orë më vonë. Vëllai im ka qenë aty edhe e ka sjellë këtu në spital. Djali po na thonë që është mirë. Ka disa dhimbje e po qan gjithë kohën”, tregon prindi. “Ujku edhe më herët është parë në fshat”, thotë Mitati.

Mjekët: Pesëvjeçari, përveç lëndimeve trupore, ka pësuar edhe traumë 

E nga kafshimet e ujkut, pesëvjeçari ka marrë edhe trauma psikologjike. Për Express, detaje rreth gjendjes shëndetësore të pacientit në fjalë ka dhënë sot edhe drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Plastike, Zejnë Buja, aty ku A.Suma do të qëndrojë edhe për disa ditë.

“Bëhet fjalë për një fëmijë pesëvjeçar. Sipas familjarëve, ngjarja ka ndodhur diku rreth orës 17:00 pas dite. Rreth orës 19:00, fëmija është sjellë në Qendrën Emergjente. Aty, ai është vizituar nga mjeku. Ata i kanë konstatu disa plagë të pacientit, kryesisht në kokë, fytyrë dhe në trup. Është vendos që pacienti të futet në sallën kirurgjike të qendrës emergjente. Aty është bërë i gjithë përpunimi i plagëve kafshuese nga ujku. Pacienti tash gjendet në Klinikën e Kirurgjisë Plastike”, ka shpjeguar për pacientin mjeku në fjalë.

Ai ka treguar se fëmijës i është bërë edhe një nderhyrje kirurgjikale . Ka deklaruar se për ta trajtuar fëmijën është thirrur edhe një psikolog klinik për ta trajtuar.

“Gjendja aktualisht është stabël. Ne, për shkak të traumës psikike që ka përjetuar fëmija, kemi thirrur edhe psikologun. Ekziston mundësi e madhe për infeksion, sepse ai u kafshua nga një ujk. Andaj, ne do ta mbajmë ende këtu nën mbikëqyrje”, tregon doktor Buja.

E ndërkohë, psikologu klinik i cili po merret me aspektin psikik të pesëvjeçarit, Besnik Kadriu, për Express ka folur për gjendjen e pacientit.

“Sapo biseduam me fëmijën. Për momentin ai kishte një shqetësim emocional që e manifestonte edhe me labilitet emocional. Ai po merr trajtime shëndetësore. Ne po e përcjellim gjendjen e tij. Do të mundohemi të lidhemi edhe me familjarët që ta kemi një aleancë për ta përcjellë më lehtë gjendjen e tij”, ka deklaruar për Express psikoterapeuti Besnik Kadriu.

E në vendin e ngjarjes gjatë ditës së sotme kanë dalë edhe zyrtarë të policisë së Kosovës. Ata thonë se rastin po e hetojnë.