Ballina LAJME Tiranë, zhurmat në kryeqytet sa dyfishi i normave të BE

Tiranë, zhurmat në kryeqytet sa dyfishi i normave të BE

Tirana si metropol i vendit vazhdon të mbetet problematike. Zhurma mbetet problem kryesor i cili shtohet dita ditës. Sipas statistikave të publikuara nga Agjensia Kombëtare e Mjedisit në vitin 2018, bëhet e ditur ndryshimi i ndjeshëm i vlerave nga matjet e vitit të kaluar.

Sipas raportit të realizuar nga Qëndresa Qytetare, niveli i zhurmës tek sheshi “21 dhjetori”, në Tiranë, rezulton më i larti me 97,5 decibel, ndërsa të dhënat e AKM rezultojnë me 64 decibel, duke tejkaluar normat e Bashkimit Evropian. Shkaku kryesor i zhurmave është trafiku i rënduar.

Megjithatë, banorët e kësaj zone duket se janë mësuar me këtë mënyrë jetese dhe nuk e kanë më problem.

Përveç bezdisjes ose shpërqëndrimit, zhurma është edhe një nga faktorët për humbjen e dëgjimit. “Sapo hapet semafori, nuk mundesh të dëgjosh asgjë tjeter veçse borive të makinave. Na shqetëson së tepërmi ky fakt, por s’kemi zgjidhje tjetër veçse të jetojmë në këtë mënyrë,” – u shpreh një nga qytetarët.

Normativa, sipas legjislacionit evropian, varion nga 50 deri në 55 decibel, por mesa duket Shqipëria është shumë larg këtij objektivi.