Ballina Aktualitet Tiranë, vlerësimi kalimtar i Policisë së Shtetit, ikën shefi i Sektorit të...

Tiranë, vlerësimi kalimtar i Policisë së Shtetit, ikën shefi i Sektorit të Ankesave në SHÇBA

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit ka vendosur sot shkarkimin e Oltion Shehut nga detyra e shefit të Sektorit të Ankesave në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme. Ai ishte i pari ndër drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat që iu nënshtruar procesit të vlerësimit kalimtar.

Në bazë të vendimit të dhënë nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, Oltion Shehu nuk justifikoi dot një pjesë të pasurisë së tij, atë të fituar gjatë viteve të punës në një sallë bingoje.

Ky proces filloi pas miratimit të ligjit 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”. Në këtë proces vlerësimi kalimtar do të kalojnë të gjithë punonjësit e këtyre tre institucioneve. Ata do të vlerësohen për tre komponentë: kriterin e pasurisë, kriterin e integritetit personal dhe kriterin profesional.

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit do të kryejë vlerësimin kalimtar të rreth 300 drejtuesve të lartë të të tre institucioneve të lartpërmendura, Komisioni Qendror i Vlerësimit do të kryejë vlerësimin kalimtar të të gjithë drejtuesve të nivelit të mesëm, ndërsa Komisioni Vendor i Vlerësimit do të kryejë vlerësimin kalimtar të të gjithë punonjësve të tjerë, sipas juridiksionit territorial.