Ballina BOTA Tiranë, “viti i ri kinez”, festivali i fenerëve në shesh

Tiranë, “viti i ri kinez”, festivali i fenerëve në shesh

Arti dhe kultura e veçantë e vitit të ri kinez kanë zbritur në Tiranë.

Sheshi “Skënderbej” është pushtuar nga personazhet karakteristike të kulturës kineze të cilat kanë surprizuar jo pak qytetarët e shumtë që kanë shfrytëzuar mundësinë për të bërë një foto.

Bashkia e Tiranës në bashkëpunim edhe me Ambasadën kineze kanë menduar për të sjellë një atmosferë fantastike në shesh, ku nuk mungoi spektakli me drita dhe me muzikë karakteristike kineze. Një traditë e vjetër kineze, që erdhi edhe në Tiranë përmes ngjyrave, fenerëve ndriçues, këngëve festive kënduar nga fëmijët shqiptarë që studiojnë gjuhën kineze dhe padiskutim, përmes spektaklit të fishekzjarreve.

Ambasadori i Republikës së Kinës, në Shqipëri, Zhou Ding u shpreh se fenerët nuk do të ndriçojnë vetëm sheshin Skëndërbej, por edhe rrugën e marrëdhënieve dhe miqësisë midis Kinës dhe Shqipërisë.

“Unë sapo kam marrë detyrën e ambasadorit në Shqipëri dhe për mua është një  kënaqësi që të festoj bashkë me qytetarët e Tiranës Vitin e Ri kinez në këtë vit jubilar të 70 vjetorit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Festivali I ndezjes së fenerëve është një festë tradicionale kineze  festuar dhe  mirëpritur në disa vende të botës, prandaj ne menduam që këtë vit ta festonim edhe në Tiranë, një inisiativë e përbashkët mes ambasadës dhe Bashkisë së Tiranës. Ky aktivitet  do të shërbejë edhe për njohjen ndërkombëtare të qytetit të Tiranës dhe Shqipër, pasi do të pasqyrohet edhe në tv kombëtar kinez dhe do të shihet nga qindra-milionë kinezë,” – u shpreh ambasadori Ding.