Ballina Aktualitet Tiranë, vendimet e qeverisë për kërkesat e studentëve

Tiranë, vendimet e qeverisë për kërkesat e studentëve

Studentët kanë qenë kryefjala e mbledhjes së qeverisë këtë të mërkurë. Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp, bëri me dije vendimet që janë marë lidhur me tetë kërkesat e studentëve. Madje, kreu i qeverisë bën me dije se ka shkuar edhe përtej tyre.

Studentët që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike dhe studentët me aftësi të kufizuara që marin financimin e plotë të tarifës, ndërkohë që do të përfitojnë edhe një bursë studimi prej 10 mijë lekësh të reja.

Studentët me mesatare mbi nëntë do të përfitojnë financim 100 përqind nga qeveria për tarifën e plotë dhe një bursë prej 10 mijë lekësh të reja.

Së treti, sipas kryeministrit Rama, do t’u jepet një mundësi e barabartë edhe studentëve me mesatare katër dhe pesë, duke u paguar 50 përqind të tarifës.

Së katërti, sa i përket studimeve në nivelin e dytë, qeveria do të paguajë vetëm për studentët me ndihmë ekonomike dhe për ata me aftësi të kufizuara deri në 50 përqind të tarifës.

Vendimi i Këshillit të Ministrave lidhur me çështjet e mësipërme do të hyjë në fuqi menjëherë dhe në janar të gjitha kostot financiare do t’i mbulojë qeveria.

Në konferencën për shtyp lidhur me kërkesat e studentëve, kryeministri Rama bëri me dije edhe faktin se, deri në fund të mandatit, do të jenë të rikonstruktuara të gjitha konviktet e universiteteve publike të vendit. Gjithashtu, ai sqaroi se do të krijohet një portal online, ku të gjitha universitet e vendit të bëjnë publike dhe transparente menaxhimin e financave të tyre. Përpos kësaj, ai u shpreh se ka shkarkuar të gjithë anëtarët që përfaqësojnë qeverinë në bordet e universiteteve, masë kjo e marrë në kuadër të përmirsimit të institucioneve të arsimit të lartë, ndërkohë që tani në borde do të ketë edhe një përfaqësues të përzgjedhur nga studentët.

Po ashtu, kryeministri Rama bëri me dije se Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë është duke punuar për kartën e studentit dhe se për funksionimin e saj janë lidhur marëveshje me disa institucione shtetërore.