Ballina Aktualitet Tiranë, urgjenca e pediatrisë, dyndje virozash pas uljes së temperaturave

Tiranë, urgjenca e pediatrisë, dyndje virozash pas uljes së temperaturave

Ulja e menjëhershme e temperaturave gjatë ditëve të fundit ka rritur numrin e virozave tek fëmijët dhe tek të rriturit. Këtë fundjavë urgjenca e pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza ishte plot me prindër që sillnin fëmijët e tyre të prekur nga viroza të ndryshme që qarkullojnë.

Në fundjavë paraqiten të gjithë në urgjencën e pediatrisë, pasi qendrat shëndetësore nuk ofrojnë shërbim mjekësor të dielave. Por kjo situatë është edhe gjatë javës, pasi prindërit kanë më tepër besim tek mjekët e QSUT.

Por ndonëse ka shumë raste të prekurish, si fëmijë dhe të rritur, dhe mjekët e familjes thonë se është grip, Instituti i Shëndetit Publik ende nuk konfirmon se janë izoluar raste të gripit në vend. Në ISHP thonë se shpesh mjekët e familjeve ngatërrojnë gripin me virozat, pasi shenjat klinike janë të ngjashme.