Ballina Aktualitet Tiranë, Urdhri i Infermierit: Gjatë këtij viti janë larguar nga vendi 554...

Tiranë, Urdhri i Infermierit: Gjatë këtij viti janë larguar nga vendi 554 infermierë

Sipas të dhënave të Urdhrit të Infermierit, vetëm përgjatë tetë muajve të parë të këtij viti janë lëshuar 554 dokumentacione për jashtë shtetit për të gjitha profesionet që rregullon ky institucion. Madje, të dhënat tregojnë se këtë vit vihet re një rritje e lehtë e kërkesave për këto dokumentacione, pasi, gjatë gjithë vitit të kaluar ishin lëshuar 529 certifikata të tilla për profesione, si infermieri, mami, fizioterapi, logopedi etj.

Në këto kushte, largimi i infermierëve jashtë vendit nuk ka të ndalur.

Interes të lartë për mjekët dhe infermierët shqiptarë kanë treguar kryesisht institucionet shëndetësore të Gjermanisë. Madje, një muaj më parë, ekipi i një prej spitaleve gjermane zhvilloi një takim me personelin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe mësohet se janë përzgjedhur afro 20 infermierë, të cilët pritet të lënë Shqipërinë pasi të marrin certifikatën e gjuhës gjermane.

Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk e sheh me shqetësim këtë fluks lëvizjesh, pasi, sipas saj, çdo vit licencohen mbi 2000 infermierë.