Ballina Aktualitet Tiranë, Unaza/ Sheshi ‘Shqiponja’ jo më rrethrrotullim, por gjysmë unazë

Tiranë, Unaza/ Sheshi ‘Shqiponja’ jo më rrethrrotullim, por gjysmë unazë

Në kuadër të projektit për Unazën e Re, ARRSH, bashkia e Tiranës dhe policia Rrugore kanë hartuar një plan për menaxhimin e trafikut në këtë zonë ku do të kryhen punime.

Në një deklaratë të përbashkët për mediat, Afrim Qendro, drejtor i ARRSH-së bëri me dije se duke nisur nga muaji janar, aksi duke nisur nga Dogana dhe deri tek shkolla Teknologjike do të jetë me tre korsi. Ai po ashtu bëri me dije se sheshi ‘Shqiponja’ nuk do të jetë më rrethrrotullim, por një gjysmë unaze.

“Ne do të fillojmë me kantierin. Kantieri ka dy faza. Ne kemi ditë që po punojmë me policinë dhe sektorin e transportit në bashkinë e Tiranës. Kemi pasur dhe bashkëpunim me inxhinierët e kompanive. Ku qëndron plani i menaxhimit të trafikut?! Do ketë tre korsi, në ikje dhe në ardhje duke nisur nga muaji janar. Kantieri do të zhvillohet nga pjesa e Astirit, ku kemi pak ndërsa që preken. Do funksionojnë të gjithë semaforët. Tek sheshi ‘Shqiponja’ s’do e kemi më rrethrrotullim, por do kemi një gjysmë unazë. Kur vjen nga unaza nuk mund të rrotullohesh në vend, por do shkosh deri tek ‘’Casa Italia’’. Në asnjë moment trafiku për përdoruesit e rrugës dhe qytetarët, s’do jetë i bllokuar gjatë kësaj kohe që do bëhet projekti. Do ketë një vështirësi trafiku, dhe për këtë policia ka marrë të gjitha masat”, – tha Qendro.

Po ashtu Qendro teksa u ndal tek dëmshpërblimi i qytetarëve, të cilët prej disa ditësh protestojnë, tha se do të bëhen të gjitha vlerësimet e objekteve.