Ballina Aktualitet Tiranë, titulli i nderit Honoris Causa për kardinalin Ernest Simoni

Tiranë, titulli i nderit Honoris Causa për kardinalin Ernest Simoni

Kardinali shqiptar Ernest Simoni ka marrë titullin e nderit Honoris Causa nga Misioni Diplomatik Paqja dhe Prosperiteti, një organizatë ndërkombëtare kjo, e themeluar nga diplomati i ndjerë amerikan Richard Holbrooke, që vepron në shumë vende të botës me qëllim promovimin e paqes dhe bashkëjetesës mes popujve.

Titullin e ka dorëzuar ambasadori Shefki Hysa, guvernatori i Misionit Diplomatik Paqja dhe Prosperiteti.

Kardinal Ernest Simoni, pavarësisht se në moshë shumë të thyer, shprehu mirënjohjen ndaj nderimit, duke theksuar se “në të tilla raste, 18 vitet e burgimit komunist shkojnë në harresë.”

Kardinal Ernest Simoni është sot 91 vjeç, 18 prej të cilave i ka vuajtur në burgjet komuniste. Ai u arrestua në vitin 1963, për shkak të një meshe që celebroi për shpirtin e presidentit të vrarë amerikan John F. Kennedy. Edhe pas daljes nga burgu, ai jetoi për shumë vite në kushte internimi, duke kryer punë të rënda.

Në vitin 2016, për gjithë vuajtjet e dëshmuara, Papa Françesku e krijoi kardinal, duke u bërë kështu kardinali i dytë shqiptar në historinë e kishës katolike.